Për gjysmën e të arrestuarve në aksionin “Botoks” kërkohet paraburgim, po dërgohen në Gjykatën Penale

Të arrestuarit nga aksioni i djeshëm dhe i sotëm i MPB-së dhe Prokurorisë për botoks dhe filerë ilegalë në këto momente po dërgohen në Gjykatën Penale. Një pjesë e madhe e grupit tashmë është dorëzuar në gjykatë dhe para gjykatësit të procedurës paraprake po merren në pyetje personat për të cilët janë propozuar masa kujdesi. Nga gjithsej 19 persona, për gjysmën janë propozuar masa kujdesi, ndërsa për gjysmën tjetër masa e paraburgimit, informojnë nga Gjykata Penale.

Nga MPB sot njoftuan se janë arrestuar 14 persona, me çka janë shkatërruar grupe të organizuara kriminale për shitje ilegale të barnave dhe pajisjeve mjekësore, përkatësisht për botoks dhe filerë ilegalë. Ata sqarojnë se janë ngritur kallëzime penale kundër 19 personave fizikë dhe gjashtë kompanive, ndërsa zbulojnë se botoksi dhe filerët ilegalë janë furnizuar nga Serbia, Korea dhe Turqia.

Gjatë vitit 2026, të denoncuarit N.A., S.K., A.K. dhe M.GJ. krijuan një shoqatë kriminale me veprim në Shkup dhe rrethinë, së cilës më vonë iu bashkuan V.A., A.M., R.T.GJ., duke shfrytëzuar një person juridik nga Shkupi, si dhe të denoncuarit GJ.S., S.M.S., V.S. si organizatorë të shoqatës kriminale me shtrirje në Shkup dhe Maqedoninë Lindore, së cilës më pas iu bashkuan edhe N.K., A.K., D.F., M.I.V., A.T., S.F., K.A. dhe O.D., përmes firmave nga Manastiri dhe Shkupi.

Me qëllim të përfitimit të paligjshëm pasuror në përmasa të mëdha, ata kanë furnizuar barna dhe pajisje mjekësore të falsifikuara (botoks) nga Serbia, Korea dhe Turqia. Këto produkte mjekësore janë futur ilegalisht në territorin e shtetit tonë me qëllim që të magazinohen, distribuohen dhe shiten, me ndihmën e anëtarëve të shoqatës kriminale — shumica e të cilëve mjekë me profesion — për t’u aplikuar te personat e tretë.

Ndonëse ishin të vetëdijshëm se malli i blerë ishte bar dhe pajisje mjekësore sipas Ligjit për barna dhe nuk ishte importuar sipas rregullave të parapara, si dhe nuk posedonte udhëzim dhe deklaratë të miratuar nga MALMED, të njëjtit kanë kryer korrigjime estetike, me çka kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button