(Pamje shqetësuese) Vajza nga Shtipi u rrah dhe inçizua për muaj me radhë nga bashkëmoshataret e saj

Pamje të tmerrshme të dhunës ndaj një fëmije ka shpërndarë avokatja Maja Ristova, e cila theksoi se bëhet fjalë për dhunë mes bashkëmoshatarëve në Shtip. Në to shihet se si një vajzë goditet me shuplaka, me grushte në kokë dhe trup, si dhe shqelmohet derisa qëndron e shtrirë në tokë. Dhuna, sipas pretendimeve, ka ndodhur në disa lokacione të qytetit.
MPB-ja, sipas detyrës zyrtare, ka ngritur kallëzim penal në Prokurori kundër të miturve, e cila po zhvillon procedurë para gjykatës për veprat penale “dhunë ndaj fëmijës” dhe “incizim i paautorizuar” kundër fëmijëve që kanë marrë pjesë në sulme dhe kanë incizuar skenat e dhunshme. Por përgjegjësi për prindërit nuk është kërkuar, publikoi Skopje1.mk.
Prandaj, avokatja Maja Ristova ka ngritur kallëzime penale kundër prindërve të fëmijëve që kanë rrahur dhe incizuar, për veprën penale “neglizhencë dhe keqtrajtim të fëmijës”. Sipas kallëzimit penal, dhuna ka zgjatur tre muaj, nga qershori deri në shtator të vitit të kaluar, publikoi Skopje1.mk.
“Kjo është dhunë mes bashkëmoshatarëve në Shtip, nga para disa muajsh. Për veprën penale ‘Dhunë ndaj fëmijës’, prokurori propozoi masën edukative ‘Mbikëqyrje e shtuar nga QPS’, ndërsa gjykata vlerësoi se masa ishte e ashpër, ndaj shqiptoi ‘Mbikëqyrje e shtuar nga prindi’ (qesharake). Lënda është në procedurë ankimore. Për veprën penale ‘Neglizhencë dhe keqtrajtim i fëmijës’, kallëzimet penale u hodhën poshtë, por pas ankesës lënda u kthye për rivendosje. Qëllimi im është të tregoj se si institucionet e shohin këtë problem. Ngjashëm si me dhunën në familje. Duket se duhet të ndodhë një ‘Ribnikar’, që të zgjohen, ashtu siç u zgjuan për dhunën familjare pas rastit ‘Ivana dhe Katja’”, thotë avokatja Maja Ristova, publikoi Skopje1.mk.
Sipas kallëzimit penal, Ristova kërkon përgjegjësi nga prindërit e të miturve, pas keqtrajtimit të viktimës 12-vjeçare. Ajo thekson se vajza ka qenë vazhdimisht e ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike nga një grup nxënësish. Në kallëzim thuhet gjithashtu se nëna e vajzës së dëmtuar kishte reaguar pasi kishte marrë disa video shqetësuese të incizuara me telefona mobilë, ku shihej se si një grup nxënësish e keqtrajtonin viktimën.
Sipas dokumenteve, rasti është raportuar në MPB Shtip, në shkollën fillore “Vanço Prke”, në Qendrën për Punë Sociale, në Prokurorinë Themelore Publike, te Avokati i Popullit dhe në Ambasadën e Parë të Fëmijëve “Megjashi”.
Avokatja Ristova thekson se revolta e saj u shtua pasi për rastin e dhunës në Gjorçe Petrov pati menjëherë reagim institucional, ndërsa për këtë rast, siç pretendon ajo, ka pasur përpjekje për ta fshehur.
Ajo me kallëzimin penal kërkon edhe ekspertizë të telefonave mobilë, për të përcaktuar kur janë bërë incizimet, çfarë komunikimi ka pasur mes nxënësve dhe me kë janë shpërndarë materialet.
“Revolta më e madhe tek unë është se për rastin në Shkup menjëherë u ngrit zhurmë, ndërsa ky është rast identik, madje ka pasur edhe tentim për vetëvrasje ose vetëlëndim nga e dëmtuara, e megjithatë po tentohet të heshtet rasti”, thotë Ristova për “Skopje1”.
Sipas saj, vajza 12-vjeçare ka pasoja serioze psikike nga dhuna.
Gjatë periudhës së fundit janë shtuar rastet e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Para këtij rasti, opinionin publik e tronditi edhe rasti në Gjorçe Petrov, ku një vajzë, sipas informacioneve, ishte rrahur, gjakosur, djegur me cigare dhe detyruar në veprime poshtëruese nga një grup bashkëmoshatarësh, publikoi Skopje1.mk.



