Palestina bëhet një nga shtetet më të rrezikshme në historinë moderne të gazetarisë në vitin 2024
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) theksoi se në vitin 2024 kanë raportuar vdekjen e 122 gazetarëve dhe punonjësve të medias dhe se më shumë se gjysma e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në Palestinë, vendi i cili është bërë “një nga shtetet më të rrezikshme në historinë moderne të gazetarisë”, transmeton Anadolu.
Në raportin e fundvitit të IFJ-së me seli në Bruksel, është bërë e ditur se në vitin 2024 janë vrarë 122 gazetarë dhe punonjës të mediave, prej të cilëve 14 ishin gra.
Në raport thuhet se 2024 është bërë “një nga vitet më vdekjeprurëse” për gazetarët, teksa i është bërë thirrje Kombeve të Bashkuara (OKB) që të miratojë një konventë detyruese për të mbrojtur gazetarët.
“Përderisa numri i gazetarëve palestinezë të vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023 ka arritur në 147, ky numër e ka bërë vendin një nga shtetet më të rrezikshme në historinë moderne të gazetarisë”, vlerëson raporti.
Sipas raportit, përderisa Lindja e Mesme është rajoni ku u regjistruan numri më i madh i vdekjeve, 77 punonjës të medias kanë humbur jetën deri më tani për shkak të sulmeve.
64 palestinezë, 6 libanezë dhe një punonjës sirian i medias u vranë në Gaza dhe Liban, ku Izraeli vazhdon sulmet e tij.
Në listën e punonjësve të medias të vrarë këtë vit, Lindja e Mesme u pasua nga Azia-Paqësori me 22 vdekje, Afrika me 10 vdekje, Amerika me 9 vdekje dhe Evropa me 4 vdekje.
Në raport gjithashtu u theksua se në mbarë botën 516 gazetarë janë në burg, duke theksuar se ky numër është një rritje e ndjeshme e krahasuar me vitet e kaluara.
Kina renditet e para në këtë listë me 135 gazetarë të burgosur, e ndjekur nga Izraeli me 59 gazetarë palestinezë dhe Mianmari me 44 gazetarë.
Sekretari i Përgjithshëm i IFJ-së, Anthony Bellanger, shprehu ngushëllimet e tij për punonjësit e medias të vrarë në vitin 2024, duke thënë: “Pas kësaj shifre të lartë, ka 122 histori të papërfunduara”.
“Për t’i dhënë fund një herë e mirë këtij problemi, ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare të OKB-së të ndërmarrin hapa për të siguruar miratimin e një konvente detyruese për sigurinë e gazetarëve”, tha Bellanger.