Nuk mjafton hattricku i Mbappes, Barça fiton ndaj Real Madridit dhe i afrohet titullit

Barcelona shënoi një fitore tjetër ndaj Real Madridit me rezultat 4-3 në një ndeshje të çmendur në kuadër të xhiros së 35-të në La Liga.
Ndeshja nisi mirë për mysafirët që realizuan dy gola me Mbappen në minutën e pestë dhe të 14-tën, shkruan Arbresh.info.
Kurse pesë minuta më vonë filloi rikthimi i madh i Barcelonës.
Eric Garcia fillimisht ngushtoi eprësinë. Kurse Lamine Yamal, barazoi në minutën e 32-të.
Dy minuta më vonë Raphinha shënoi golin e tretë që e coi në epërsi Barcelonën.
Ndërsa braziliani shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për skuadrën e tij në minutën e 45-të.
Kylian Mbappe shënoi një tjetër gol në minutën e shtatë shtesë të pjesës së parë, mirëpo pozicioni i tij ishte i parregullt dhe goli u anulua.
Francezi kompletoi hattrickun në pjesën e dytë saktësisht në minutën e 70-të, ku ngushtoi epërsinë në 4-3 dhe mbajti gjallë shpresat e Realit deri në fund për së paku një barazim.
Ndërkohë, Barcelona edhe pse pati avantazhin vazhdoi të sulmojë dhe në një moment kërkoi edhe penallti. Por i të njëjtit mendim nuk ishte edhe gjyqtari, ku nuk u bind as pas rishikimit me VAR për një prekje të topit me dorë nga Tchouameni.
Reali pati edhe disa super shanse të barazojë rezultatin mirëpo fillimisht Victor Munoz nuk ishte i saktë në gjuajtjen e tij në minutat shtesë të ndeshjes.
Pastaj edhe Kylian Mbappe në minutën e dytë shtesë humbi një rast të mirë. Reali gjeti golin e barazimit pas një korneri por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Një tjetër gol u anulua në ndeshje kësaj radhe për Barcelonën, ku një super gol iu mohua Fermin Lopezit, pas prekjes së topit me dorë nga pikërisht ky futbollist.
Me këtë fitore, Barcelona arkëtoi tri pikë të mëdha që e afrojnë edhe më shumë me titullin.
Tashmë kur kanë kaluar 35 xhiro, Barcelona numëron 82 pikë kurse Reali 75 sosh.