Nikolloski: Përfunduam rikonstruksionin e unazës hekurudhore të Shkupit, linja Draçevë–Ilinden gati për trenat e mallrave

Është përfunduar rikonstruksioni i unazës hekurudhore të Shkupit, përkatësisht i linjës Draçevë–Ilinden, duke mundësuar devijimin e trenave të mallrave jashtë qytetit të Shkupit. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, së bashku me drejtorin e NP Hekurudhat – Infrastruktura, Siniša Ivanovski, inspektuan segmentin e rikonstruktuar, ku u realizua edhe një udhëtim testues.
Nikolloski theksoi se në këtë linjë do të qarkullojnë ekskluzivisht trenat e mallrave, gjë që do të kontribuojë në organizim më të mirë dhe zhvillim të transportit.
“Jam i kënaqur që po realizojmë një udhëtim testues në korridorin hekurudhor të rinovuar, që praktikisht është unaza e qytetit të Shkupit, në linjën mes Draçevës dhe Ilindenit, me të cilën trenat e mallrave nxirren jashtë qytetit të Shkupit.
Me realizimin e këtij projekti ndihmohet ndjeshëm mbrojtja e mjedisit jetësor dhe ulja e ndotjes në Shkup, duke pasur parasysh se trenat e mallrave nuk do të hyjnë më në qytet.
Ky është një projekt i realizuar nga NP Hekurudhat – Infrastruktura, i përfunduar në afat maksimalisht të shkurtër. Aktualisht është në fazën testuese dhe pas pranimit teknik pres që brenda rreth 20 ditësh trenat e mallrave të fillojnë ta përdorin këtë segment.
Kjo do të ketë ndikim të madh në mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e ndotjes në Shkup, por njëkohësisht do të mundësojë transport më të shpejtë të mallrave në Korridorin 10, më shumë biznes dhe më shumë kompozicione hekurudhore në rrjetin hekurudhor të vendit, gjë që do të kontribuojë në zhvillimin e biznesit dhe të transportit në përgjithësi.
Shumë shpejt, jo më vonë se 1 shtatori, do të shihemi edhe në lëshimin në përdorim të trenit urban, me linjën e parë që do të qarkullojë nga Zelenikova, përmes Draçevës, deri në qendër të Shkupit”, deklaroi Nikolloski.



