Shtyhet seanca kryesore e gjykimit për keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore

Seanca kryesore në procesin gjyqësor për rastin “Lotaria Shtetërore”, në të cilin janë të akuzuar tetë persona, mes tyre edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes.

Një pjesë e avokatëve të të akuzuarve deklaruan para gjykatës se nuk e kanë marrë aktakuzën, si dhe se nuk u janë dhënë për shqyrtim provat e Prokurorisë.

Gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jolevski shpjegoi se materiali dëshmues është voluminoz dhe përmban 231 prova materiale dhe shtatë prova verbale. Për shkak të vëllimit, provat nuk janë dërguar me postë, por janë siguruar në kuti në gjykatë, prej nga avokatët mund t’i marrin dhe t’i shqyrtojnë.

Mbrojtja e të akuzuarit të parë, Perpetim Bajrami, i cili ndodhet në arrati, gjithashtu deklaroi se nuk e ka marrë aktakuzën. Gjykata njoftoi se aktakuza, së bashku me materialin dëshmues, do t’i dorëzohet mbrojtjes.

Duke qenë se bëhet fjalë për një lëndë paraburgimi, avokatëve do t’u lihen rreth dhjetë ditë për t’u njohur me provat. Më pas, është paraparë që seancat të mbahen dy herë në javë.

Në këtë rast janë të akuzuar Perpetim Bajrami, Artan Grubi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Mehmeti, Fatmir Ramafanovski, Aleksandar Dimitrovski dhe Bashkim Avdi. Ata akuzohen për keqpërdorime të lidhura me funksionimin e Lotarisë Shtetërore.

Sipas aktakuzës, me veprimet për të cilat ngarkohen të akuzuarit, Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar dëm prej rreth 8.2 milionë eurosh.

Aktakuzën në gjykatë e përfaqësojnë prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button