Trump i kërkon Musk-ut të heq kufizimin e shpejtësisë së Starlink-ut në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, telefonoi themeluesin e SpaceX, Elon Musk dhe i kërkoi të heq kufizimet e vendosura mbi një version ushtarak të Starlink-ut që përdoret nga Ukraina, transmeton Anadolu.
Duke cituar zyrtarë amerikanë dhe ukrainas, gazeta Wall Street Journal (WSJ) raportoi se shërbimi satelitor funksionoi më mirë menjëherë pas bisedës telefonike. Disa zyrtarë ukrainas i thanë WSJ-së se funksionaliteti i plotë nuk ishte rikthyer, por shpejtësia ishte më e lartë se ajo e lejuar nga kufizimi.
Sipas raportit, Trump shprehu pakënaqësi për faktin se shpejtësia ishte kufizuar në rreth 100 milje në orë, një kufizim që i pengonte disa dronë sulmues dhe dronë përgjues ukrainas të operonin kundër sulmeve ruse.
Një raport i mëparshëm i WSJ-së bëri të ditur se Musk kishte urdhëruar ngadalësimin e shërbimit. SpaceX dhe Shtëpia e Bardhë kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me atë nëse Musk kishte vepruar i vetëm apo me udhëzimin e administratës amerikane.
Shtëpia e Bardhë iu referua mohimeve të fundit të Trumpit, i cili tha se nuk i kishte kërkuar Musk-ut të kufizonte shërbimin dhe se nuk e dinte se kush kishte dhënë urdhrin.
Starlink-u, i operuar nga kompania SpaceX e Musk-ut, është shndërruar në një mjet jetik komunikimi për Ukrainën në luftën me Rusinë.



