Kryeparlamentari Gashi uron besimtarët për Natën e Madhe të Mevludit: “Qoftë kjo ditë mëshire edhe për botën tonë!”

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Natës së Madhe të Mevludit, duke përcjellë mesazhe për mëshirë, paqe, drejtësi dhe dashuri mes njerëzve.

Në një postim në Facebook, Gashi tha se kjo natë, që shënon lindjen e Profetit Muhamed, duhet të jetë një moment për reflektim mbi jetën dhe mësimet e tij.

“Uroj që të gjithë myslimanët që e shënojnë këtë ditë, ta kalojnë atë me dashuri, përmendje dhe reflektim mbi jetën dhe mësimet e Profetit të Islamit”, shkroi Gashi.

Ai iu referua edhe përshkrimit të Profetit Muhamed në Kuran si “mëshirë për të gjitha botët”, duke theksuar nevojën për më shumë mirësi dhe paqe në shoqëri.

“Uroj që kjo ditë të jetë një kujtesë për më shumë mëshirë, mirësi, paqe, drejtësi dhe dashuri mes njerëzve. Qoftë kjo ditë mëshire edhe për botën tonë!”, theksoi kryeparlamentari.

Gashi në fund uroi të gjithë besimtarët myslimanë: “Urime Nata e Madhe e Mevludit!”

Në postimin e tij, ai publikoi edhe një vepër artistike që paraqet emrin e Profetit Muhamed në formën e një trëndafili, realizuar nga artisti Rromir Imami.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button