Kosovë, certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, hapet rruga për formimin e institucioneve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 në Kosovë, raporton Anadolu.
Në mbledhjen e KQZ-së, kryesuesi i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi, tha se certifikimi vjen pasi sipas vendimeve të fundit nga Gjykata Supreme nuk ka pasur ndonjë obligim për KQZ-në dhe të gjitha ankesat janë refuzuar.
Sipas rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 53 ulëse në Kuvend dhe 47,13 për qind të votave.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të ketë 22 deputetë në legjislaturën e re, ndërsa mori 19,44 për qind.
Partia e tretë më e madhe ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila ka siguruar 18 mandate dhe 16,69 për qind.
Lista Serbe do të ketë 9 ulëse dhe ka fituar 5,40 për qind. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të përfaqësohet me shtatë deputetë dhe ka marrë 6,,74 për qind.
Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) do të ketë dy deputetë dhe ka marrë 0,70 për qind, ndërsa nga një ulëse do të kenë partitë tjera nga minoritetet etnike.
“9 vota për, certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit 2026”, theksoi Radoniqi.
Tani, nga dita e sotme, deputetët kanë kohë 30 ditë për thirrjen e seancës konstituive.
Kryeministri në detyrë, njëherësh kandidat për kryeministër edhe për një mandat nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar këto javë se menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve do të nisin negociatat me partitë politike për formimin e institucioneve.
Lëvizja Vetëvendosje mund ta bëjë e vetme qeverinë e re, mirëpo i duhet ndihma nga partitë tjera, për votimin e presidentit të ri. Për presidentin e ri sipas Kushtetutës duhen 80 vota në dy runde, apo në rundin e tretë duhet të jenë të pranishëm në sallë 80 deputetë ndërsa 61 prej tyre të votojnë një emër.
LVV dështoi të gëzojë mbështetjen e partive tjera për presidentin e ri gjatë marsit të këtij viti dhe ky ishte shkaku që vendi automatikisht shkoi në zgjedhje të reja.



