Netanyahu pranon se Izraeli po mbështet një ‘bandë kriminale’ anti-Hamas në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pranuar se Izraeli po mbështet një grup të armatosur në Gaza që kundërshton lëvizjen e rezistencës palestineze Hamas, pas deklaratave të një ish-ministri se Izraeli u kishte dhënë armë këtij grupi.

Mediat izraelite dhe palestineze kanë raportuar se grupi me të cilin Izraeli po bashkëpunon është pjesë e një fisi lokal beduin të udhëhequr nga Yasser Abu Shabab.

Instituti ndërkombëtar i mendimit European Council on Foreign Relations (ECFR) e përshkruan Abu Shabab si lider të një “bande kriminale që operon në zonën e Rafahut dhe që akuzohet gjerësisht për plaçkitjen e kamionëve me ndihma humanitare”.

Deputeti i Knesset-it dhe ish-ministri i mbrojtjes, Avigdor Liberman, i tha transmetuesit publik Kan se qeveria, me urdhër të Netanyahu-t, “po u jep armë një grupi kriminelësh dhe të dënuarish”.

“Çfarë zbuloi Liberman? Që shërbimet e sigurisë aktivizuan një fis në Gaza që kundërshton Hamasin? Çfarë ka të keqe këtu?”, tha Netanyahu në një video të postuar në rrjetet sociale të enjten.

“Kjo është vetëm një gjë e mirë, po shpëton jetë të ushtarëve izraelitë.”

Michael Milshtein, një ekspert për çështjet palestineze në Qendrën Moshe Dayan në Tel Aviv, i tha agjencisë AFP se fisi i Abu Shabab është pjesë e një fisi beduin që shtrihet në kufirin mes Gazës dhe gadishullit Sinai të Egjiptit.

Sipas tij, disa anëtarë të fisit janë të përfshirë në “lloj-lloj aktivitetesh kriminale, kontrabandë droge e të ngjashme”.

‘Gangster’

Milshtein tha se Abu Shabab ka kaluar kohë në burg në Gaza dhe se krerët e fisit të tij së fundmi e kanë denoncuar si një “bashkëpunëtor të Izraelit dhe gangster”.

“Duket se në fakt Shabak-u (shërbimi sekret izraelit) apo ushtria mendoi se ishte ide e shkëlqyer ta kthente këtë milici – në fakt, këtë bandë – në një proxy, t’u jepte atyre armë, para dhe strehim” nga operacionet ushtarake izraelite, tha Milshtein.

Ai shtoi se Hamas kishte vrarë katër anëtarë të kësaj bande para pak ditësh.

ECFR thekson se Abu Shabab “raportohet se më parë ishte burgosur nga Hamasi për kontrabandë droge. Thuhet se vëllai i tij u vra nga Hamasi gjatë një goditjeje ndaj sulmeve të bandës mbi konvot e ndihmave të OKB-së”.

Izraeli akuzon rregullisht Hamasin – me të cilin është në luftë prej afro 20 muajsh – se po plaçkit ndihmat humanitare në Gaza.

Hamasi tha se ky grup kishte “zgjedhur tradhtinë dhe vjedhjen si rrugën e vet” dhe u bëri thirrje civilëve të kundërshtojnë këtë grup.

Hamasi, që qeveris Gazën prej gati dy dekadash, deklaroi se ka prova për një “bashkëpunim të qartë mes këtyre bandave grabitqare, bashkëpunëtorëve të pushtuesit (Izraelit), dhe vetë ushtrisë armike në plaçkitjen e ndihmave dhe fabrikimin e krizave humanitare që thellojnë vuajtjet e palestinezëve”.

Grupi i Abu Shabab, që e quan veten “Forcat Popullore”, shkroi në Facebook se “asnjëherë nuk kemi qenë dhe kurrë nuk do të jemi një vegël e pushtimit”.

“Armët tona janë të thjeshta, të vjetruara, dhe kanë ardhur falë mbështetjes së popullit tonë”, shtoi grupi.

Milshtein e quajti vendimin e Izraelit për të armatosur një grup si ai i Abu Shabab “fantazi, jo diçka që mund të quhet realisht strategji”.

“Shpresoj vërtet që kjo të mos përfundojë në katastrofë”, tha ai.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) nxori urdhër-arreste për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një proces për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për krimet e luftës kundër civilëve në enklavë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button