Ministri izraelit i Mbrojtjes: “Askush nuk mund të na tregojë çfarë të bëjmë”

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha të enjten vonë se Izraeli do të përgjigjet menjëherë dhe me forcë nëse Irani sulmon, duke thënë se “askush nuk mund të na thotë se çfarë të bëjmë”, sipas mediave izraelite, transmeton Anadolu.
“Nëse Irani na sulmon, ne do të veprojmë menjëherë dhe do të përgjigjemi me forcë. Askush nuk mund të na thotë se çfarë të bëjmë dhe ne e kemi vërtetuar këtë”, tha Katz në një intervistë për Channel 14.
“Të gjitha aftësitë ekzistojnë dhe po ndërtohen”, shtoi Katz duke thënë se Izraeli mund të “përgjigjet menjëherë ose të veprojë më vonë”. “Ne kurrë nuk i kërkuam SHBA-së të luftojë me ne kundër Hezbollahut në Liban, kundër elementëve xhihadistë në Siri apo kundër Hamasit në Gaza”, pohoi Katz duke theksuar se “Ne e bëjmë atë vetëm”.
“Ne prisnim dhe ende presim që SHBA-ja të mbështesë të drejtën tonë dhe të na japë një ombrellë diplomatike, jo ushtarake, për të vepruar kundër të gjithë këtyre armiqve”, shtoi ai.
“Në Liban, në Siri dhe në Gaza, ne nuk do të lëvizim nga zonat e sigurisë”, tha Katz. “Jo në Siri, as në Gaza dhe as në Liban, ne nuk do të largohemi atje në asnjë rrethanë”, shtoi ai.
Deklarata erdhi disa ditë pasi SHBA-ja dhe Irani nënshkruan memorandum mirëkuptimi për t’i dhënë fund luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Zyrtarët izraelitë kritikuan vendimin dhe u zotuan të mos ndjekin dispozitat e marrëveshjes, gjë që nxiti reagim të fortë nga nënpresidenti i SHBA-së, JD Vance.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë më herët të enjten, Vance kritikoi ashpër anëtarët e qeverisë izraelite që sulmuan mirëkuptimin e arritur midis Washingtonit dhe Teheranit, duke thënë: “Nëse do të isha në kabinetin e qeverisë izraelite, ndoshta nuk të sulmoja të vetmin aleat të fuqishëm që më ka mbetur kudo në të gjithë botën”.
Vance tha se disa anëtarë të qeverisë izraelite “e sulmuan shumë personalisht presidentin e SHBA-së”.
Ndërmjetësi pakistanez njoftoi zyrtarisht se memorandumi ka hyrë në fuqi, ku Irani pritet që do të fillonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun detar në këmbim të fillimit të heqjes së bllokadës detare ndaj Teheranit nga ana e SHBA-së.
Pavarësisht nga një marrëveshje SHBA-Iran që raportohet se përfshin dispozita që synojnë t’i japin fund armiqësive në Liban, sulmet izraelite vazhduan pas mesnate. Sipas shifrave të fundit zyrtare, ofensiva ushtarake e Izraelit në Liban që nga 2 marsi ka vrarë 3.912 persona, ka plagosur 11.873 të tjerë dhe ka zhvendosur më shumë se një milion banorë.
Izraeli gjithashtu mban një prani në Siri. Pavarësisht se administrata e re siriane nuk ka lëshuar kërcënime ndaj Izraelit, forcat izraelite kanë kryer sulme ajrore në Siri që nga rrëzimi i Bashar al-Assadit, duke vrarë civilë dhe duke shënjestruar objekte ushtarake, pajisje dhe municione.
Përveç kësaj, Izraeli pushton tokat palestineze dhe libaneze dhe refuzon të tërhiqet ose të lejojë krijimin e një shteti palestinez, siç përcaktohet në rezolutat përkatëse të OKB-së.
