Irani shpall procedura të reja për anijet që kërkojnë të kalojnë Ngushticën e Hormuzit

Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik i Iranit (PGSA) ka njoftuar procedura të reja për anijet që kërkojnë të kalojnë Ngushticën e Hormuzit, pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit midis Teheranit dhe Washingtonit, transmeton Anadolu.

Autoriteti tha se sipas udhëzimeve të lëshuara pas nënshkrimit të memorandumit anijet që dëshirojnë të kalojnë nëpër këtë rrugë ujore strategjike gjatë periudhës së mbuluar nga marrëveshja duhet të paraqesin kërkesat e tyre për tranzit pranë PGSA-së përmes kanaleve zyrtare të përcaktuara, në mënyrë që të marrin miratimin sa më shpejt.

Autoriteti theksoi se faqja e tij zyrtare në internet dhe adresa e postës elektronike janë të vetmet kanale të miratuara për përpunimin e kërkesave për kalim dhe se aplikuesit duhet të sigurojnë të dhëna të vlefshme dhe të qasshme kontakti për anijet e tyre.

Ai gjithashtu udhëzoi pronarët e anijeve që të paraqesin kërkesat e plota për kalim të paktën 48 orë para mbërritjes në Ngushticën e Hormuzit për të shmangur vonesat në pikat e hyrjes ose të daljes.

Sipas autoritetit, tarifat për shërbimet e sigurisë, mbrojtjes dhe mjedisit, si dhe sigurimet përkatëse iraniane, nuk do të mblidhen gjatë një periudhe 60-ditore, ndërsa kostot do të mbulohen nga qeveria.

Më tej, autoriteti theksoi se për shkak të zonave të prekura nga minat dhe nevojës për të garantuar lundrim të sigurt dhe për të parandaluar përplasjet, anijet duhet të koordinojnë rrugët e tyre të përcaktuara dhe oraret e planifikuara të kalimit para se t’i afrohen ngushticës.

Ai paralajmëroi se mosrespektimi i këtyre kërkesave do të jetë përgjegjësi e pronarit të anijes.

Të mërkurën në mbrëmje, presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, nënshkruan elektronikisht një memorandum mirëkuptimi me 14 pika që synon t’i japë fund konfliktit të nisur më 28 shkurt mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Sipas memorandumit, Washingtoni dhe Teherani pritet të zhvillojnë negociata për 60 ditë, me mundësi zgjatjeje, në përpjekje për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe sanksionet ndërkombëtare.

Sipas kushteve të marrëveshjes, Irani do të rihapë menjëherë Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-ja do të heq bllokadën e saj detare, sipas kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, i cili gjithashtu nënshkroi dokumentin në cilësinë e ndërmjetësit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button