Mickoski në Manastir: Fabrika „Brainchild“ me investim prej 11 milionë eurosh dhe 230 vende pune përcjell Zhurnal.mk .

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë në inaugurimin e fabrikës „Brainchild“ në Manastir, një investim privat i dedikuar për prodhimin e pajisjeve për sportet e ujit dhe të erës, të cilin e cilësoi si një projekt me rëndësi të veçantë për ekonominë dhe zhvillimin lokal.

Në fjalën e tij, Mickoski theksoi se çdo investim i ri që krijon vende pune dhe përmirëson cilësinë e jetës së qytetarëve paraqet një vlerë të shtuar për shtetin.

“Sot kemi një iniciativë private e cila që në fillim të mandatit të kësaj qeverie nisi procesin e realizimit të këtij investimi. Tashmë të gjithë jemi dëshmitarë të një investimi të rrallë, që prodhon artikuj të përdorur gjerësisht në botë në fushën e sporteve të ujit”, deklaroi Mickoski.

Sipas tij, bëhet fjalë për një investim me vlerë totale prej rreth 11 milionë eurosh, ku aktualisht janë të punësuar rreth 230 persona.

“Kemi nderin dhe kënaqësinë që si Qeveri të mbështesim një investim të tillë dhe të vazhdojmë të përkrahim projekte që krijojnë vlerë të re në ekonominë maqedonase”, tha kryeministri.

Ai përgëzoi pronarin e kompanisë për vendimin që të investojë në Manastir, duke theksuar se qyteti njihet për mikpritjen dhe klimën e favorshme për biznes.

Mickoski falënderoi gjithashtu Komunën e Manastirit, administratën lokale, deputetët dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit, duke vlerësuar se procedurat janë zhvilluar me efikasitet.

Kryeministri bëri të ditur se përveç këtij investimi, Qeveria po punon edhe për tërheqjen e të paktën dy investimeve të tjera në Manastir.

“Mund të them se po punojmë edhe për të paktën dy investime të tjera të interesuara për Manastirin. Detajet do të bëhen publike pasi të nënshkruhen marrëveshjet përkatëse për mbështetje nga Qeveria”, njoftoi Mickoski.

Në fund, ai shprehu bindjen se raste të tilla do të jenë gjithnjë e më të shpeshta në të ardhmen, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës në vend.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button