Mexhiti: Nesër pritet të nënshkruhet kontrata për autostradën Shkup-Bllacë, investim mbi 200 milionë euro

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka njoftuar se nesër pritet të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, projekt që sipas tij do ta forcojë lidhjen mes Shkupit dhe Prishtinës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mexhiti theksoi se rruga Shkup-Bllacë nuk është më një premtim, por një projekt që tashmë po merr formë.
Ai bëri të ditur se investimi për ndërtimin e autostradës kap vlerën mbi 200 milionë euro dhe e cilësoi atë si një projekt me rëndësi të veçantë për lidhjen infrastrukturore dhe zhvillimin ekonomik.
“Rruga Shkup–Bllacë nuk është më një premtim. Është një projekt që po merr formë. Nesër pritet të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, një investim mbi 200 milionë euro që lidh më fort Shkupin me Prishtinën”, ka shkruar Mexhiti.
Ai shtoi se, ndryshe nga premtimet e viteve të kaluara, tani është koha e veprimit.
“Për vite me radhë u fol. Ne zgjodhëm të veprojmë. Sepse rezultatet nuk kanë nevojë për zhurmë. Ato flasin vetë”, përfundoi bashkëkryetari i VLEN-it.



