Pacienti nga Maqedonia, me avion qeveritar dërgohet urgjentisht në Berlin për transplant zemre

Me qëllim shpëtimin urgjent të jetës së një pacienti nga Ohri, i cili ka dëmtime të rënda të zemrës, sot ai u transferua me avionin qeveritar në Qendrën Klinike Universitare në Berlin, Gjermani, përcjell TV21. Detajet për këtë ndërhyrje urgjente mjekësore u bënë të ditura nga burime qeveritare gjatë brifingut të sotëm me gazetarët.
Pacienti D. N. më parë kishte kaluar një periudhë të gjatë trajtimi në Klinikën vendore të Kardiokirurgjisë, ku ishte përcaktuar se kishte nevojë urgjente për transplant të zemrës. Megjithatë, për shkak të përkeqësimit të papritur të parametrave të tij vitalë dhe mungesës së një organi të përshtatshëm në bazën kombëtare të donatorëve, autoritetet aktivizuan me shpejtësi procedurën për dërgimin e tij urgjent për trajtim jashtë vendit.
E gjithë procedura e transportit është realizuar në koordinim mes Fondit të Sigurimit Shëndetësor (FSSH) dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Qendra e njohur mjekësore gjermane tashmë e ka pranuar pacientin, ku po ndërmerren masa për stabilizimin e gjendjes së tij dhe përgatitjen për ndërhyrjen kirurgjikale. Ai do të qëndrojë atje nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore derisa të sigurohet një donator i përshtatshëm për kryerjen e transplantit.

