Mexhiti: Jurisprudenca në shqip, një hap drejt barazisë

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka përshëndetur realizimin e së drejtës që jurisprudenca të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një ditë historike për studentët shqiptarë dhe një hap të rëndësishëm drejt barazisë gjuhësore.
Në një njoftim të tij, Mexhiti theksoi se premtimet marrin kuptim kur shndërrohen në vepra konkrete, duke rikujtuar angazhimin për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në arsim.
“Premtimi u bë realitet, jurisprudenca flet shqip! Një ditë historike për studentët shqiptarë dhe një hap i rëndësishëm për barazinë dhe dinjitetin e gjuhës shqipe”, ka deklaruar Mexhiti.
Ai u është drejtuar edhe studentëve shqiptarë, duke i përgëzuar për këtë të drejtë të re.
“Fjalët marrin vlerë kur pas tyre qëndrojnë vepra. Sot kemi një arsye më shumë për të festuar! Studentë të dashur, ta gëzoni këtë të drejtë!”, ka shkruar Mexhiti, duke e përmbyllur mesazhin me urimin për Festat e Nëntorit.


