UNICEF: Dronët vrasin dy të tretat e fëmijëve në Sudan

Dronët e armatosur kanë qenë përgjegjës për dy të tretat e viktimave në mesin e fëmijëve në Sudan gjatë këtij viti, tha sot UNICEF-i, ndërsa sulmet e përsëritura ndaj infrastrukturës civile dhe përkeqësimi i thatësirës po thellojnë krizën humanitare, transmeton Anadolu.

“Këtë vit në Sudan, dy nga tre fëmijë viktima janë prekur nga sulmet me dronë. Ata po e çojnë luftën në vende që dikur ishin të sigurta”, u tha gazetarëve në Gjenevë, zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder. Ai tha se gjatë muajit tetor u goditën deri në 15 centrale elektrike ndërsa gjatë javës së fundit të muajit nuk kaloi asnjë ditë pa një sulm me dron ndaj ndonjë centrali elektrik.

“Kur goditet një central elektrik, pompat e ujit ndalojnë së funksionuari. Edhe trajtimi i ujit ndërpritet”, tha Elder duke paralajmëruar se ndërprerjet e energjisë elektrike rrezikojnë gjithashtu ruajtjen e vaksinave, ujitjen e tokave bujqësore dhe furnizimin me ushqime.

Kriza po thellohet në një kohë kur vlerësohet se 825 mijë fëmijë nën moshën pesëvjeçare pritet të vuajnë nga kequshqyerja e rëndë akute gjatë këtij viti. Pavarësisht përpjekjeve humanitare, Elder theksoi se reagimi i UNICEF-it në Sudan është financuar vetëm në një të tretën e nevojave.

Agjencia bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve ndaj fëmijëve dhe infrastrukturës civile, garantimin e qasjes së sigurt humanitare dhe sigurimin e financimit të vazhdueshëm. “Për tre vjet e gjysmë, vuajtjet e fëmijëve të Sudanit janë përballur kryesisht me heshtje. Nëse bota po pret diçka edhe më të keqe, do të vazhdojë të presë pranë varreve të tyre”, tha Elder.

Sudani është përfshirë në një konflikt mes ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë që nga prilli i vitit 2023, i cili ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve dhe zhvendosjen e rreth 13 milionë të tjerëve, sipas vlerësimeve të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button