Më 26 tetor nis rregullimi i sheshit në qendër të Haraçinës, njofton Daut Beqiri

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka njoftuar se më 26 tetor do të nisë realizimi i projektit për rregullimin e sheshit në qendër të vendbanimit, i cili synon t’i japë zonës një pamje më moderne dhe të përmirësojë organizimin e komunikacionit.
Përmes një njoftimi, Beqiri bëri të ditur se para fillimit të punimeve është organizuar edhe një debat publik me qytetarët, ku janë dëgjuar mendimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me mënyrën e realizimit të projektit.
“Për këtë projekt organizuam edhe debat publik me qytetarët, ku dëgjuam mendimet dhe sugjerimet e tyre. Së bashku diskutuam dhe vendosëm për mënyrën se si do të realizohet ky projekt, duke i dhënë rëndësi edhe zërit të qytetarëve”, ka deklaruar Beqiri.
Sipas tij, sheshi i ri, përveç përmirësimit të pamjes së qendrës së Haraçinës, do të kontribuojë edhe në rregullimin e komunikacionit dhe do të shërbejë si hapësirë përkujtimore për dëshmorët.
“Sheshi i ri do t’i japë Haraçinës një pamje më të bukur e më moderne, do të kontribuojë në rregullimin e komunikacionit dhe do të shërbejë edhe si një hapësirë përkujtimore për dëshmorët tanë, të cilët dhanë gjithçka për ne”, thuhet në njoftimin e kryetarit të komunës.
Beqiri theksoi se komuna do të vazhdojë me realizimin e projekteve që synojnë zhvillimin dhe rregullimin e Haraçinës.
“Me punë konkrete dhe projekte që realizohen, po vazhdojmë ta zhvillojmë Haraçinën!”, përfundoi ai.

