Mbretëria e Bashkuar rrezikon një “brez të humbur” pasi papunësia e të rinjve kalon 1 milion

Mbretëria e Bashkuar rrezikon të krijojë një “brez të humbur” të të rinjve, pasi më shumë se 1 milion persona tani janë jashtë punës, arsimit ose trajnimit, sipas një raporti të porositur nga qeveria, i cili paralajmëroi për pasoja gjithnjë e më të thella ekonomike dhe sociale nëse trendi vazhdon, transmeton Anadolu.
Rishikimi i përkohshëm, i udhëhequr nga ish-ministri laburist, Alan Milburn, tha se nëse nuk ndërmerren masa urgjente brenda pesë viteve një në gjashtë të rinj mund të klasifikohet si NEET, respektivisht jo në punësim, arsim ose trajnim.
“Shkëputja nuk është më e përkohshme. Për shumë të rinj po bëhet e përhershme. Ne rrezikojmë një brez të humbur”, thuhet në raport.
Shifrat e publikuara së bashku me raportin treguan se 1.01 milion persona të moshës 16 deri në 24 vjeç ishin NEET midis muajve janar dhe mars, niveli më i lartë në më shumë se 12 vjet dhe i barabartë me 13,5 për qind të kësaj grupmoshe.
Raporti tha se gjashtë në dhjetë të rinj NEET nuk kanë pasur kurrë një punë, krahasuar me katër në dhjetë dy dekada më parë, megjithëse 84 për qind deklarojnë se dëshirojnë mundësi pune ose trajnimi.
Milburn fajësoi rënien e vendeve fillestare të punës, përkeqësimin e shëndetit mendor, ndikimin e pandemisë së koronavirusit dhe sistemin e mirëqenies sociale, për të cilin tha se “po e përkeqëson pasivitetin”.
Kryeministri Keir Starmer i quajti gjetjet “tronditëse” dhe tha se qeveria do të bëjë më shumë për të parandaluar një “brez të humbur”.
Raporti vlerësoi se kostoja afatgjatë ekonomike e shkëputjes së të rinjve mund të arrijë deri në 125 miliardë paundë (167 miliardë dollarë) në vit.



