Izraeli ngre aktakuzë ndaj këshilltarit të Netanyahut për “rrjedhje të informacionit sekret” në një gazetë gjermane

Prokurorja e Përgjithshme e Izraelit ka ngritur aktakuzë ndaj një këshilltari të lartë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, nën akuza që përfshijnë rrjedhjen e informacionit të klasifikuar me qëllim dëmtimin e sigurisë së shtetit, duke shkaktuar reagime të forta nga ministrat e qeverisë, transmeton Anadolu.

Gazeta izraelite Haaretz raportoi se Prokurorja e Përgjithshme, Gali Baharav-Miara dhe Prokurori i Shtetit, Amit Aisman, ngritën aktakuzën ndaj Yonatan Urich-it, i cili akuzohet se i ka transferuar informacion të klasifikuar inteligjence gazetës gjermane Bild, pasi censura ushtarake izraelite kishte ndaluar publikimin e tij.

Haaretz i përshkroi akuzat si një “vepër të rëndë spiunazhi”, e cila mund të dënohet maksimalisht me burgim të përjetshëm.

Gazeta gjermane e publikoi dokumentin në shtator të vitit 2024, duke pretenduar se ishte një dokument sekret i Hamasit, megjithëse më vonë rezultoi se ishte i rremë.

Haaretz tha se dokumenti ishte paraqitur në mënyrë mashtruese për të sugjeruar se Hamasi nuk ishte i gatshëm të arrinte një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të siguruar lirimin e pengjeve izraelite, në atë që e përshkroi si një përpjekje për të shmangur kritikat ndaj Netanyahut për dështimin e negociatave të armëpushimit.

Raporti shtoi se Urich akuzohet se ka bashkëpunuar me ish-zëdhënësin e Netanyahut, Eli Feldstein, për të nxjerrë informacion të klasifikuar nga bazat e të dhënave ushtarake izraelite.

Në muajin korrik, Baharav-Miara tha se materiali i rrjedhur ishte “i klasifikuar në nivelin më të lartë të fshehtësisë” dhe ishte siguruar përmes inteligjencës së ndjeshme, duke paralajmëruar se veprimet kishin rrezikuar “sigurinë e shtetit dhe jetën njerëzore”.

Ajo shtoi se qëllimi i nxjerrjes dhe publikimit të informacionit të klasifikuar ishte, ndër të tjera, ndikimi i opinionit publik në favor të Netanyahut dhe formësimi i debatit rreth vrasjes së gjashtë pengjeve izraelite në gusht të vitit 2024.

Aktakuzat ishin ngritur më parë në nëntor 2024 edhe ndaj Feldstein dhe ushtarit rezervist izraelit Ari Rosenfeld, i cili akuzohet se ia kishte kaluar materialin e klasifikuar Feldstein-it.

Sipas Haaretz, Feldstein gjatë marrjes në pyetje kishte deklaruar se e kishte rrjedhur informacionin në mediat e huaja për të ndikuar opinionin publik izraelit kundër protestave që kërkonin një marrëveshje për lirimin e pengjeve, duke pretenduar se protesta të tilla dëmtonin negociatat dhe forconin Hamasin.

Ministrat izraelitë dolën menjëherë në mbrojtje të këshilltarit Urich dhe sulmuan prokuroren Baharav-Miara pas ngritjes së aktakuzës.

Ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, në një deklaratë pretendoi se “zbatimi selektiv i ligjit është krim”.

Ministrja e Transportit, Miri Regev, i përshkroi akuzat ndaj këshilltarit Urich si “të pabaza” dhe akuzoi autoritetet se po synonin Netanyahun dhe bashkëpunëtorët e tij.

Kryetari i Knesset-it, Amir Ohana, akuzoi prokuroren Baharav-Miara se po përdor sistemin gjyqësor “si armë kundër njërit krah të hartës politike”.

Edhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se nuk “beson asnjë fjalë” të thënë nga prokurorja e përgjithshme.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button