Bashkëthemeluesi i BDS-së e quan “fjalë boshe” kërkimfaljen e Adidas-it për fushatën me ushtarin izraelit

Lëvizja për Bojkot, Tërheqje të Investimeve dhe Sanksione (BDS), e udhëhequr nga palestinezët, e ka cilësuar si “fjalë boshe” kërkimfaljen e publikuar nga Adidas-i lidhur me një fushatë reklamuese ku shfaqet një ish-ushtar izraelit me gjymtyrë të amputuar.

“Fakti që Palestina ka numrin më të madh të fëmijëve me gjymtyrë të amputuara në botë e bën këtë zgjedhje marketingu edhe më të turpshme. Ajo lartëson pikërisht instrumentin që ka shkaktuar këtë vuajtje”, tha Omar Barghouti për Anadolu, bashkëthemelues i BDS-së.

Marka gjermane e veshjeve sportive është përballur me kritika në rritje dhe thirrje për bojkot pasi zgjodhi ish-ushtarin izraelit Shalev Biton si imazhin e fushatës së saj të shërbimit “single shoe”. Kritikët e kanë cilësuar fushatën si të pandjeshme, duke theksuar se ajo shpërfill numrin e madh të palestinezëve që kanë humbur gjymtyrë si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.

Barghouti, një aktivist palestinez për të drejtat e njeriut dhe fitues i Çmimit Gandhi për Paqe në vitin 2017, u shpreh se “nuk është për t’u habitur që menjëherë nisi një bojkot global spontan”.

“Kjo nuk ka të bëjë thjesht me faktin që Adidas-i po tregohet i pandjeshëm apo i pavëmendshëm, por është një fyerje e rëndë ndaj palestinezëve, të afërmit e të cilëve janë vrarë nga Izraeli dhe që kanë humbur gjymtyrë nga sulmet izraelite”, tha ai.

Duke komentuar kërkimfaljen e Adidas-it, e cila u publikua në një llogari rajonale dhe jo përmes një deklarate më të gjerë të kompanisë, Barghouti tha se “tani Adidas-i po përpiqet të kufizojë dëmin” dhe se “e ashtuquajtura kërkimfalje e tyre është vetëm fjalë boshe”.

“Të prekur nga ky imazh janë miliona palestinezë që jetojnë nën gjenocidin e vazhdueshëm të Izraelit në Gaza, pushtimin e paligjshëm ushtarak të territorit palestinez dhe regjimin e tij prej dekadash të aparteidit kolonial të kolonëve”.

Barghouti tha se vendimi i kompanisë për të përfshirë ushtarin “normalizon dhunën e një ushtrie pushtuese dhe përfiton nga normalizimi i aparteidit”. Ai i bëri thirrje Adidas-it që ta heq menjëherë ushtarin izraelit nga të gjitha materialet dhe kanalet promovuese dhe të vendosë një politikë etike në nivel kompanie që rregullon partneritetet, zëdhënësit, ambasadorët dhe dëshmitë promovuese.

“Deri atëherë, ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për t’i kërkuar llogari Adidas-it përmes bojkoteve globale”, tha ai.

– Si funksionon BDS

Barghouti tha se lëvizja BDS bën thirrje për bojkotimin e kompanive, shërbimeve dhe institucioneve që i konsideron bashkëfajtore në veprimet e Izraelit kundër palestinezëve, bazuar në kritere të qarta. “BDS synon bashkëfajësinë, jo identitetin. Ajo synon institucionet, jo individët”, tha ai duke shtuar se bojkotet synojnë të ushtrojnë presion financiar mbi korporatat.

“Bojkotet ushtrojnë presion mbi korporatat, për shembull, duke folur gjuhën e tyre, fitimin. Nëse një korporatë përballet me rreziqe financiare, ligjore ose të reputacionit për shkak të bashkëfajësisë së saj në krimet e Izraelit, ka më shumë gjasa t’i japë fund përfshirjes së saj, siç dëshmon përvoja jonë e gjatë”, tha Barghouti.

Megjithatë, ai theksoi se bojkotet janë vetëm një pjesë e strategjisë së lëvizjes. “BDS gjithashtu bën thirrje për tërheqjen e investimeve dhe forma të tjera të presionit jo të dhunshëm si dhe për sanksione të ligjshme dhe të synuara”, tha ai.

Ai tha se tri strategjitë, përkatësisht bojkoti, tërheqja e investimeve dhe sanksionet, janë konceptuar për të përforcuar njëra-tjetrën duke ushtruar presion mbi institucionet, korporatat dhe qeveritë. “Me këto tre taktika ne mundemi dhe do ta arrijmë qëllimin tonë për liri, drejtësi dhe barazi për palestinezët kudo”, tha ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button