Mbi 30 persona përfunduan me lëndime në klinikat e kirurgjisë dhe traumatologjisë pas stuhisë në Shkup

Në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohridski”, ndihmë mjekësore pas stuhisë së djeshme kanë kërkuar 22 pacientë, prej të cilëve dy janë mbajtur për trajtim spitalor. Ndërsa në Klinikën Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Mjekim Intensiv dhe Qendrën Urgjente (TOARILUC) janë paraqitur 11 persona, prej të cilëve tre me fraktura më serioze.
“Nga 22 pacientët në ‘Shën Naum Ohridski’, dy janë pranuar për trajtim spitalor, ndërsa të tjerët janë trajtuar me lëndime më të lehta. Një pacient tashmë është operuar gjatë orëve të natës për shkak të një frakture në pjesën e dorës. Kemi edhe një pacient tjetër, shtetas të huaj, turist, i cili është lënduar nga rënia e një peme në zonën e legenit, por nuk ka pasur nevojë për trajtim kirurgjik, pra bëhej fjalë për trajtim konsultativ”, deklaroi drejtori i Spitalit “Shën Naum Ohridski”, Nebojsha Nastov, pas vënies në funksion të repartit të rikonstruktuar të traumatologjisë.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se po monitorohen dëmet në institucionet shëndetësore dhe se pas vlerësimit nga kompanitë e sigurimeve do të fillojë riparimi i konstruksioneve të çative.
“Kemi pemë të rrëzuara edhe në Qendrën Klinike ‘Nëna Terezë’, por pa persona të lënduar. Edhe në Spitalin Psikiatrik në Bardovc nuk ka të lënduar. Atje pati edhe ndërprerje disaorëshe të energjisë elektrike, e cila tashmë është mënjanuar. Ka dëme të konsiderueshme edhe në konstruksionin e çatisë së Spitalit Klinik në Shtip. Falë ndërhyrjes së shpejtë të kryetarit të komunës, Ivan Jordanov, dhe drejtorit të spitalit, dëmet tashmë janë sanuar dhe po punohet në vlerësimin e tyre. Ka dëme edhe në konstruksionin e çatisë së Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit ‘8 Shtatori’”, deklaroi Klekovski.
Ai shtoi se Spitali Klinik në Shtip dhe Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” janë të siguruar, ndërsa kompanitë e sigurimit tashmë kanë nisur vlerësimin e dëmeve, pas së cilit do të ndërmerren masat për të siguruar funksionimin e pandërprerë të spitaleve.



