Marrëveshje 99-vjeçare: SHBA paguan vetëm 1 dollar për tokën e konfiskuar palestineze në Jerusalem

Izraeli dhe SHBA-ja kanë nënshkruar një marrëveshje sipas së cilës Uashingtoni do të marrë një parcelë toke në Jerusalemin Perëndimor, e cila para vitit 1948 ishte pronë e palestinezëve dhe do të shërbejë si vendndodhje e përhershme e Ambasadës së re amerikane në qytet.
“Marrëveshja e qirasë për tokën është për 99 vjet dhe Shtetet e Bashkuara do t’i paguajnë Izraelit shumën prej 1 dollari”, deklaroi ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee.
Gjatë mandatit të tij të parë, në dhjetor të vitit 2017, presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi zhvendosjen e Ambasadës së SHBA-së nga Tel Avivi.
Ky vendim në atë kohë shkaktoi kritika të gjera ndërkombëtare, pasi u konsiderua se binte ndesh me konsensusin ndërkombëtar lidhur me statusin e Jerusalemit. Pavarësisht zhvendosjes së ambasadës amerikane, shumica e vendeve vazhdojnë t’i mbajnë ambasadat e tyre në Izrael, në Tel Aviv.
Në vitin 2022, organizata për të drejtat e njeriut në Izrael, Adalah, deklaroi se toka e caktuar për kompleksin e ambasadës ishte konfiskuar nga palestinezët sipas Ligjit izraelit të vitit 1950 për Pronat e Munguesve.
Sipas Adalah, zgjerimi i Ambasadës amerikane në Jerusalemin Perëndimor dhe konfiskimi i tokës së caktuar për të bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht me nenin 46 të Rregulloreve të Hagës, i cili ndalon konfiskimin e pronës private.



