Libri i sapobotuar pretendon se Trump i tha Netanyahut se “të gjithë hebrenjtë janë të sëmurë nga ti”

Presidenti amerikan, Donald Trump, i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një bisede telefonike në vitin 2025 se “të gjithë hebrenjtë janë lodhur nga ti”, gjatë përpjekjeve për të siguruar një armëpushim në Gaza, sipas një libri të botuar të martën nga gazetarët Maggie Haberman dhe Jonathan Swan, transmeton Anadolu.
Libri, “Regime Change: Inside the Imperial Presidency of Donald Trump”, shqyrton vitin e parë të mandatit të dytë të Trumpit dhe përshkruan një shkëmbim të tensionuar mes Trumpit dhe Netanyahut.
Sipas librit, Trump i tha Netanyahut, i cili ishte në linjë së bashku me këshilltarët e lartë amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner: “Të gjithë janë lodhur nga ti, Bibi. Të gjithë hebrenjtë janë lodhur nga ti. Edhe dy hebrenjtë që janë në këtë telefonatë janë lodhur nga ti.”
Sipas autorëve, biseda ndodhi gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit 2025, ndërsa Trump po promovonte një plan me 20 pika që synonte përfundimin e luftës në Gaza dhe rindërtimin e territorit.
Autorët thanë se Trump i kishte thënë gjithashtu Netanyahut se nuk mund “të tërhiqej” nga marrëveshja e armëpushimit për Gazën e propozuar nga Uashingtoni.
Më herët gjatë atij muaji, Izraeli kishte kryer një sulm ajror ndaj liderëve të Hamasit në Katar, teksa ata ishin mbledhur për të diskutuar një marrëveshje të mundshme armëpushimi me Izraelin, sipas pjesëve të publikuara nga libri.
Sipas këtyre pjesëve, sulmi nuk arriti të vriste figurat e larta të Hamasit që ishin objektiv i tij, por vrau disa anëtarë të rangut më të ulët të Hamasit dhe një roje nga Katari.
Pas këtij sulmi, Katari refuzoi të vazhdonte rolin e tij si ndërmjetës mes Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas, thuhet në libër.
Pjesët e publikuara nuk e bëjnë të qartë nëse shpërthimi verbal i Trumpit lidhej drejtpërdrejt me sulmin në Katar.
Trump gjithashtu i tha Netanyahut: “Unë jam miku më i mirë që Izraeli ka pasur ndonjëherë. Të gjithë të urrejnë dhe unë të kam qëndruar pranë”, pretendohet në libër.
Një fragment tjetër i publikuar javën e kaluar pohon se Trump e kishte quajtur Netanyahun “mashtrues” gjatë muajve të parë të administratës së tij të dytë, sipas autorëve.
Pretendimet e paraqitura në libër nuk janë konfirmuar zyrtarisht deri më tani nga Trumpi, Shtëpia e Bardhë, Netanyahu apo zyra e kryeministrit izraelit.



