Lajm i mirë nga BE, Sali: Maqedonia e Veriut vlerësohet për progresin në reforma

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë që mjetet nga Fondi i Reformave për Ballkanin Perëndimor të riorientohen drejt vendeve që kanë shënuar progresin më të madh në zbatimin e reformave, duke theksuar se Maqedonia e Veriut renditet mes vendeve udhëheqëse në këtë proces.
Sali vlerësoi se njohja e Maqedonisë së Veriut, së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi, si një nga liderët e reformave përbën një dëshmi të rëndësishme për punën e deritanishme dhe përkushtimin institucional ndaj agjendës evropiane.
“Fakti që Maqedonia e Veriut, së bashku me Malin e Zi dhe Shqipërinë, njihet si një nga vendet udhëheqëse në procesin e reformave është një vlerësim i rëndësishëm për punën e deritanishme dhe përkushtimin tonë ndaj agjendës evropiane”, deklaroi Sali.
Ai theksoi se kjo përbën një motiv shtesë për të intensifikuar zbatimin e reformave, pasi çdo hap i realizuar me sukses do të sjellë më shumë mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, më shumë investime dhe përfitime konkrete për qytetarët.
“Kjo është një shtysë shtesë për të vazhduar me intensitet edhe më të madh zbatimin e reformave, pasi çdo hap i realizuar me sukses nënkupton më shumë fonde evropiane, më shumë investime dhe përfitime konkrete për qytetarët”, u shpreh ai.
Në fund, zëvendëskryeministri i parë ritheksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj procesit reformues dhe synimit strategjik të vendit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
“Mbetemi të përkushtuar fuqishëm ndaj reformave dhe objektivit tonë strategjik – anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, përfundoi Sali.


