Kurti: ShBA’të partneri dhe aleati ynë kryesor, ta shtojnë trysninë që Radojçiq t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimet që ka pasur me senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Peter Welch, në margjina të Konvetentës Kombëtare Demokratike që po mbahet në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë me ftesë të NDI.

Kurti ka thënë se u ka shprehur dy senatorëve interesin dhe gatishmërinë e plotë që bashkarisht të punojnë në thellimin edhe më tej të marrëdhënieve me ShBA’në, që ka thënë se janë aleati e partneri kryesor i Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Deklarata e tij vjen disa orë pasi Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përsëriti se Shtetet e Bashkuara se po përballen me disa sfida me Qeverinë Kurti, gjë e cila Hovenier tha se ka ndikuar në cilësinë e partneritetit mes dyja vendeve.
“Shumë prej jush keni parë raporte në media për dallimet e tashme ndërmjet SHBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me veprimet e Qeverisë së Kosovës të cilat janë të udhëhequra nga Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti. Siç e kemi thënë edhe javën e shkuar po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”, deklaroi sot Hovenier.

Me senatorët, Kurti tha se ka diskutuar edhe për procesin e dialogut.

“Biseduam dhe për zgjedhjet historike presidenciale në ShBA të cilat do të mbahen më 5 nëntor dhe gjallërinë e vlerat e rrënjosura të demokracisë së fuqishme amerikane, mbi zhvillimet në vend e rajon, si dhe për rëndësinë e zbatimit në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, dhe pranimit e nënshkrimit të saj nga ana e Serbisë, e cila po e refuzon dhe shkel në vazhdimësi marrëveshjen”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka thënë se ka kërkuar edhe që Shtetet e Bashkuara që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar që kryekrimineli Milan Radojçiq t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës.

“Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, ka ardhur koha e fundit që përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të Kosovës dhe për këtë kërkova që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, ka shkruar Kurti.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button