Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë emërohet kryeministër i Libanit

Presidenti i ri i Libanit ka kërkuar nga diplomati i famshëm dhe juristi Nawaf Salam për ta formuar qeverinë e re, pasi të hënën ishte zgjedhur nga një numër i madh i deputetëve. Kjo lëvizje zemëroi Hezbollahun dhe aleatët e tij, raporton Associated Press.

Salam për momentin po shërben si kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe nominimi i tij ishte bërë nga grupe të mbështetura nga Perëndimi si dhe të pavarurit brenda Parlamentit libanez. Salam ka mbështetjen e Arabisë Saudite dhe të shteteve perëndimore. Deputetët e Hezbollahut abstenuan në propozimin e ndonjë kandidati për kryeministër.

Nominimi i Salamit është parë nga shumë si një fije shprese pas luftës 14-muajshe të Izraelit kundër Hezbollahut, që la rreth 4,000 të vdekur dhe më shumë se 16,000 të lënduar dhe shkaktoi dëme materiale në vlerë qindra miliona dollarësh. Lufta përfundoi në fund të nëntorit kur një armëpushim i negociuar nga SHBA-ja hyri në efekt.

Salam do të ketë një mision të vështirë. Atij, ndër të tjera, do t’i duhet të punojë në nxjerrjen e vendit të vogël nga një pesëvjeçar i rëndë ekonomik.

Në vitet e kaluara, Hezbollahu ka bllokuar Salamin për t’u bërë kryeministër, duke e konsideruar si bashkëpunëtor të SHBA-së.

Zgjedhja e javës së kaluar e Joseph Aounit si president dhe nominimi i të hënës për Salam, me shumë gjasë do të lirojë rrjedhjen e fondeve nga Perëndimi dhe kombet arabe të pasura me naftë, për të ndihmuar në procesin e rindërtimit. Mijëra libanezë kanë humbur kursimet e tyre pasi sektori bankar u shemb si rezultat i krizës ekonomike.

Aouni e as Salami nuk konsiderohen si klasa politike e vendit që fajësohet për korrupsionin e madh dhe keqmenaxhimin në dekadat e fundit që përfundoi në tetor të 2019, me një nga shembjet ekonomike më të mëdha në më shumë se një shekull.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button