Bekim Sali takon mërgimtarët në Sllupçan: Diskutuam për investimet dhe përfshirjen e diasporës

Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim me mërgimtarët nga zona e Sllupçanit në Komunën e Likovës, ku janë diskutuar zhvillimet politike, mundësitë për investime në vendlindje dhe përfshirja e diasporës në proceset demokratike.
“Mërgimtarët janë pjesë e pandashme e kombit tonë. Ata kanë qenë gjithmonë të përfshirë në çdo proces të rëndësishëm dhe vazhdojnë të japin një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin.
Sot, në Sllupçan të Likovës, u takuam me mërgimtarët e kësaj zone, së bashku me Zëvendësministrin e Arsimit, Driton Sulejmani, dhe Zëvendësministren e Sportit, Safije Sadiki Shaini.
Biseduam hapur për situatën politike, por edhe për mundësitë konkrete të investimeve në vendlindje. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua mundësive që rinia të nisë biznese përmes thirrjeve dhe mbështetjes së Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, sepse zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës janë rruga më e mirë për një të ardhme më të mirë.
Gjithashtu, i informova edhe për angazhimin tonë lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me qëllim të rritjes së përfshirjes së mërgatës në proceset demokratike.
Faleminderit për mikpritjen, besimin dhe mbështetjen tuaj!”, ka shkruar Bekim Sali.



