Adnan Azizi: Patriotizmi nuk është aktrim

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka publikuar një status kritik ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke e akuzuar se ka ndryshuar qëndrimet politike dhe kauzat në varësi të interesave të momentit.
Azizi ka kujtuar një debat të zhvilluar gjatë periudhës së organizimit të UÇK-së, duke thënë se atëherë kishte kërkuar mbështetje për shtabet civile, ndërsa, sipas tij, një funksionar i PDSH-së i kishte thënë se lufta nuk bëhej për bashkim kombëtar, por për pushtet.
“Në kulmin e organizimeve të UÇK-së, kur përgatiteshim për organizimin e shtabeve civile në zonat përreth Shkupit si mbështetje logjistike e formacioneve ushtarake, pata një debat të ashpër me një funksionar të PDSH-së, mikun tim. Unë kërkoja mbështetje për UÇK-në dhe shtabet civile, ndërsa ai thoshte se lufta nuk bëhej për bashkim kombëtar, por vetëm për pushtet.
Kur u takuam pas shumë vitesh, më tha: ‘A të kujtohet kur të thosha se nuk i njihje mirë drejtuesit e UÇK-së? Sot nga ajo luftë doli një komandant që kujdeset për integrimin e Serbisë në Evropë, thotë “Rroftë populli serb”, u bë avokat politik i Gruevskit e Mihajllkovit dhe simboli i gjithë atij pushteti përfundoi te Soravia’.
Çdo lider ka meritat dhe gabimet e veta. Por të ndryshosh kauzat sipas interesit dhe ta përdorësh patriotizmin si maskë politike është mashtrim. Njëherë flitet për harta ndarjeje, herën tjetër mohohen. Njëherë premtohet bashkim kombëtar, ndërsa në prapaskenë thuhet: ‘Në vjeshtë jam në Shkup, në qeveri’. Dhe pranë Qeverisë ngrihet Soravia.
Kur jeni në pushtet flisni për eurointegrime dhe kompromise, ndërsa në opozitë zgjoheni patriotë. Mes shqiptarëve mbani ligjërata kombëtare, ndërsa për t’iu afruar pushtetit pranoni çdo kompromis, vendosni flamurin maqedonas në zyrë, shkruani në maqedonisht dhe ndryshoni qëndrime sipas interesit.
Patriotizmi nuk ndërtohet sipas pozitës apo opozitës. Patriotët e vërtetë nuk ndryshojnë bindje sa herë ndryshon pushteti.
Gëzoje Ilindenin dhe Soravian, komandant Ali Ahmeti. Historia i mban mend veprat, jo fjalët”, ka shkruar deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi.



