Kryeministrja italiane fton presidentin Erdogan të vizitojë Italinë
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka ftuar presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, të vizitojë Italinë në gjysmën e parë të vitit 2025 për një seancë të re të Samitit Ndërqeveritar Itali-Türkiye, transmeton Anadolu.
Gjatë një bisede telefonike, siç njofton qeveria italiane, Meloni dhe Erdoğan u fokusuan në fuqinë e marrëdhënieve dypalëshe, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të punës për të konsoliduar më tej trendin në rritje të vazhdueshëm në fushën e tregtisë.
Meloni dhe Erdoğan riafirmuan të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, si dhe kryeministrja italiane theksoi nevojën për të rritur ndihmën humanitare për popullsinë civile të prekur nga konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
Të dy liderët theksuan angazhimin e përbashkët për të bërë thirrje për armëpushim në Rripin e Gazës dhe Liban.
“Lidhur me këtë të fundit, Meloni theksoi rolin vendimtar që luan UNIFIL dhe nevojën që siguria e këtij misioni të garantohet në çdo kohë”, thuhet në njoftimin e qeverisë italiane.
Sipas një deklarate dje nga Drejtoria e Komunikimit të Türkiyes, në bisedën telefonike me kryeministren italiane, presidenti Erdoğan vlerësoi reagimin e Romës ndaj agresionit të Izraelit në rajon, duke theksuar përpjekjet e vendosura të Türkyes për paqen në Lindjen e Mesme.
Erdoğan gjithashtu i tha kryeministres italiane se mbështetja nga Roma do të forcojë dorën e Ankarasë në përpjekjet e OKB-së për të ndaluar shitjet e armëve në Izrael.
“Presidenti Erdoğan theksoi rëndësinë e veprimit të komunitetit ndërkombëtar për të ndaluar agresionin izraelit dhe theksoi se mbështetja e Italisë për iniciativën e Türkiyes në OKB për të ndaluar shitjet e armëve në Izrael do ta forcojë këtë përpjekje”, tha Drejtoria e Komunikimeve.
Presidenti turk po ashtu tha se sulmet e Izraelit në territoret palestineze, përfshirë Gazën si dhe sulmet ndaj Libanit dhe paqeruajtësve të OKB-së janë “të papranueshme”.
Izraeli ka zhvilluar fushatë masive ajrore në Liban që nga muaji i kaluar kundër siç pretendon Tel Avivi objektivave të Hezbollahut, duke përshkallëzuar një vit lufte ndërkufitare midis Izraelit dhe grupit libanez që nga fillimi i ofensivës brutale të Izraelit në Gaza.
Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, të paktën 2.546 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 11.860 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga tetori i vitit të kaluar.
Izraeli e zgjeroi konfliktin më 1 tetor të këtij viti duke nisur sulm tokësor në jug të Libanit.