Eurodeputetët vizitojnë Kinën për herë të parë që nga viti 2018, mes planeve për të ulur importet

Një delegacion prej 12 anëtarësh i Komitetit për Tregtinë Ndërkombëtare (INTA) të Parlamentit Evropian ka mbërritur në Kinë, për vizitën e parë të këtij lloji që nga viti 2018, transmeton Anadolu.

Sipas raportit të gazetës Global Times, gjatë vizitës treditore, e cila do të zgjasë deri të enjten, ligjvënësit do të vizitojnë Pekinin, Hangzhou-n dhe Shangain.

Ata do të takohen me homologët e tyre kinezë dhe zyrtarë qeveritarë, si dhe do të vizitojnë kompanitë kineze të teknologjisë inovative Unitree dhe BrainCo.

Parlamenti Evropian njoftoi se kjo do të jetë vizita e parë e komitetit në Kinë që nga viti 2018 dhe vizita e katërt e një delegacioni të Parlamentit Evropian në Kinë gjatë vitit 2026.

Ekspertët kinezë e mirëpritën vizitën, por paralajmëruan se BE-ja po jep sinjale kontradiktore duke zhvilluar dialog, ndërkohë që planifikon kufizime të reja ndaj importeve kineze. Sipas tyre, kjo qasje e dyfishtë dëmton bisedimet e zhvilluara në frymën e mirëbesimit.

Sipas raportimeve, BE-ja planifikon të përdorë masa mbrojtëse për të ulur importet e produkteve kimike, mobilieve dhe makinerive nga Kina, ndoshta që në tremujorin e parë të vitit 2027.

Sot, Kina i kërkoi BE-së të respektojë parimet e tregut dhe konkurrencën e ndershme, si dhe të përmbahet nga keqpërdorimi i instrumenteve për mbrojtjen tregtare, pas raportimeve se blloku evropian po shqyrtonte masa të reja për kufizimin e importeve të produkteve kineze.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, u tha gazetarëve në Pekin se forcimi i dialogut dhe konsultimeve mbi bazën e respektit të ndërsjellë, si dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, janë në interesin e përbashkët të Kinës dhe BE-së.

Që nga muaji korrik, pakot me vlerë të ulët që hyjnë në BE i nënshtrohen një tarife të përkohshme doganore prej 3 eurosh (3.34 dollarë), ndërsa nga 1 nëntori do të zbatohet edhe një tarifë shtesë prej 2 eurosh për trajtimin e tyre.

Rreth 93 për qind e këtyre pakove vinin më parë nga Kina.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button