Qeveria dorëzon propozimligjin për transformimin e angazhimeve me kontratë në punësim të rregullt

Qeveria ka dorëzuar Propozimligjin për transformimin e angazhimeve me kontratë në marrëdhënie të rregullt pune, me të cilin synohet zgjidhja e statusit të mijëra personave të angazhuar në sektorin publik.
Sipas propozimit, parashihet që personat e përfshirë në ligj të kalojnë në punësim me kohë të pacaktuar, ndërsa institucionet do të kenë afat prej 90 ditësh për lidhjen e kontratave ose nxjerrjen e vendimeve për punësim.
Projektligji parashikon gjithashtu mbrojtjen e kontratave gjatë zhvillimit të procedurës, me përjashtimet e përcaktuara me ligj, si dhe kufizimin e angazhimeve të ardhshme me kontratë në 10 për qind të numrit të të punësuarve, me përjashtimet përkatëse ligjore.
Nisma synon të ofrojë siguri më të madhe në punë dhe të rregullojë statusin e personave që prej vitesh janë të angazhuar me kontrata në institucionet publike.



