Kosova mbyll institucionet paralele serbe edhe në dhjetë komuna tjera

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur mëngjesin e sotëm janë mbyllur edhe disa komuna paralele të Serbisë, posta e zyre tatimore.
Këto institucione ilegale serbe janë mbyllur në dhjetë komuna të ndryshme përfshirë këtu: komunën e Lipjanit, të Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.
Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka theksuar se ky aksion përfaqëson përfundimin e periudhës së funksionimit të strukturave paralele të Serbisë, të cilat kanë operuar në Kosovë dhe kanë cenuar sovranitetin dhe ligjshmërinë e shtetit të Kosovës.
“Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”, ka shkruar ministri i Brendshëm në një postim në Facebook.
Në videon e publikuar nga Sveçla shihet edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, i cili tha se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.
Ndërkaq Policia e Kosovës ka thënë se drejtoritë rajonale të Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut janë duke zhvilluar operacione policore, por nuk ka konfirmuar se për çfarë operacionesh bëhet fjalë.
“Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, kanë deklaruar nga policia.