Shasivari kundërpërgjigjet Ahmetit: Pse BDI nuk e zgjidhi këtë çështje për 22 vjet?

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i është përgjigjur letrës së hapur të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Shasivari ka theksuar se kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur për vite me radhë, ndonëse që nga viti 2001 tetë ministra shqiptarë nga radhët e BDI-së kanë udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë. Ai ka kundërshtuar akuzat e Ahmetit, duke thënë se çështja nuk duhet të shndërrohet në përplasje politike, por të marrë një zgjidhje të qëndrueshme juridike.

Ministri ka bërë të ditur se Qeveria kërkon opinionin e Komisionit të Venecias për këtë çështje, ndërsa ka theksuar se procesi do të jetë transparent dhe do të përfshijë edhe fakultetet juridike dhe përfaqësuesit e studentëve.

“I nderuar z. Ali Ahmeti,

Çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është tepër e rëndësishme për t’u reduktuar në përplasje të politikës ditore, merita partiake dhe akuza të ndërsjella. Bëhet fjalë për një çështje që meriton qasje serioze juridike, përgjegjësi institucionale dhe një zgjidhje që do të sigurojë mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët, duke respektuar plotësisht Kushtetutën, ligjet dhe standardet profesionale.

Fillimisht, dëshiroj të rikujtoj se kjo çështje nuk lindi me ardhjen time në funksionin e ministrit të Drejtësisë. Ajo prej vitesh ka mbetur një çështje e pazgjidhur në Ministrinë e Drejtësisë. Që nga viti 2001, tetë ish-ministra shqiptarë të Drejtësisë, nga radhët e BDI-së, kanë pasur mundësinë dhe përgjegjësinë institucionale për të zgjidhur çështjen e mënyrës së dhënies së provimit të jurisprudencës. Por, kjo nuk ndodhi.

Si profesor universitar i drejtësisë, me mbi 25 vjet përvojë, i njoh nga afër barrierat gjuhësore me të cilat janë përballur breza të tërë studentësh shqiptarë. Sot, si ministër i Drejtësisë, kam mundësinë dhe përgjegjësinë për ta ndryshuar këtë realitet.

Prandaj, atyre që për vite me radhë kanë mbajtur përgjegjësinë institucionale për këtë çështje, më së paku u ka hije që sot ta paraqesin iniciativën aktuale si një problem të lindur dje apo të paraqiten si mbrojtësit e vetëm të të drejtave gjuhësore.

Të drejtat gjuhësore nuk janë pronë partiake dhe as kapital politik i ndonjë individi apo partie politike. Ato janë të drejta të qytetarëve, ndërsa garantimi i tyre është detyrim i institucioneve.

Si ministër i Drejtësisë, detyrimi im nuk është të fitoj pikë politike, por të siguroj një zgjidhje ligjore, funksionale dhe afatgjatë. Nuk po punojmë për një zgjidhje në interes të një partie politike, por për të gjithë kandidatët e tanishëm dhe të ardhshëm që dëshirojnë të japin provimin e jurisprudencës.

Nuk zgjodhëm rrugën e improvizimeve dhe të vendimeve për konsum politik ditor. Zgjodhëm rrugën e një zgjidhjeje të qëndrueshme juridike.

BDI-ja nuk ka monopol as mbi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, as mbi gjuhën shqipe dhe as mbi të drejtat e shqiptarëve. Askush nuk ka të drejtë ta shndërrojë çështjen e barazisë së qytetarëve në pronë partiake.

Më 27 nëntor, Ahmeti do të ketë mundësinë që në Kuvend t’ua përcjellë vërejtjet e tij raportuesve të Komisionit të Venecias.

Si ministër i Drejtësisë, nuk do të hyj në garë se kush ka bërë më shumë deklarata për të drejtat gjuhësore. Përgjegjësia ime është të siguroj zgjidhje të qëndrueshme juridike dhe institucionale, në përputhje me standardet evropiane.

Ne nuk do të bëjmë politikë me të drejtat e qytetarëve. Do t’i zgjidhim problemet që të tjerët i kanë lënë të pazgjidhura për dekada me radhë.

Ky është dallimi ndërmjet retorikës politike dhe përgjegjësisë shtetërore.

Propozojmë një model të vetëm, në të cilin gjithëpërfshirja gjuhësore dhe standardet profesionale do ta plotësojnë njëra-tjetrën, e jo ta përjashtojnë njëra-tjetrën.

Pikërisht për këtë arsye, konsideroj se kjo çështje duhet të marrë një konfirmim shtesë juridik dhe një opinion nga Komisioni i Venecias, organi më relevant këshillimor i Këshillit të Evropës për çështje kushtetuese dhe juridike. Nuk kemi asnjë arsye t’i frikësohemi një opinioni evropian. Përkundrazi, e kërkojmë atë, sepse besojmë se argumentet juridike, transparenca dhe përgjegjësia institucionale janë e vetmja rrugë e drejtë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Për këtë arsye, i hedh poshtë përpjekjet për ta paraqitur këtë proces si një marrëveshje të mbyllur politike apo si një përpjekje për kufizimin e të drejtave të dikujt. I gjithë procesi është i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës. Kemi organizuar takime me dekanët e fakulteteve juridike dhe me përfaqësuesit e studentëve, po dëgjojmë qëndrimet, vërejtjet dhe propozimet e tyre dhe konsiderojmë se zëri i tyre duhet të jetë pjesë përbërëse e zgjidhjes përfundimtare.

Gjithashtu, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të kenë mundësinë të zhvillojnë biseda të drejtpërdrejta me institucionet, komunitetin akademik dhe studentët. Nuk do të fshihet asnjë argument, nuk do të përjashtohet asnjë palë e interesuar dhe nuk do të miratohen zgjidhje pas dyerve të mbyllura.

Zoti Ahmeti,

Në vend që ta shpallni paraprakisht këtë iniciativë si degradim, tradhti apo manovër politike, lejoni që argumentet juridike të shqyrtohen nga institucionet kompetente dhe ekspertët evropianë të drejtësisë. Nuk mundet që çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje sistemore të shpallet automatikisht si sulm ndaj të drejtave gjuhësore.

Komisioni i Venecias nuk është mbulesë për institucionet. Ai është një mundësi që zgjidhja juridike të shqyrtohet në mënyrë të pavarur, profesionale dhe në përputhje me standardet evropiane. Opinioni i tij do të ketë rëndësi për sigurinë juridike dhe për hapat e mëtejshëm.

Në fund, dëshiroj të theksoj se nuk do të lejoj që kjo çështje të bëhet objekt i garës partiake. Nuk do të garojmë se kush ka kontribuar më shumë për të drejtat e shqiptarëve dhe as se kush ka më shumë të drejtë politike për të folur në emër të tyre.

Historia e vendimeve institucionale është e njohur dhe secili mund ta verifikojë atë.

Të drejtat nuk mbrohen me deklarata të bujshme politike, por me institucione funksionale, zgjidhje të qëndrueshme juridike dhe zbatim konsekuent të ligjeve.

Dr. Jeton Shasivari
Ministër i Drejtësisë”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button