Çdo i dyti i rritur në Maqedoninë e Veriut pi duhan, shpenzon rreth 4.800 denarë në muaj për cigare!

Çdo i dyti qytetar i rritur në Maqedoninë e Veriut është duhanpirës, ndërsa nëse përfshihen edhe cigaret elektronike dhe produktet e duhanit me ngrohje, përqindja arrin në 54 për qind, përcjell TV21. Këto janë rezultatet e një hulumtimi të organizatës Analitika, të realizuar me 1.065 qytetarë, ku thuhet se duhanpirja dhe numri i cigareve të konsumuara çdo ditë janë rritur krahasuar me vitin 2020.
Sipas hulumtimit, më shumë se një e katërta e duhanpirësve konsumojnë mbi 20 cigare në ditë, ndërsa rreth 40 për qind pinë nga 10 deri në 20 cigare. Mesatarisht, një duhanpirës shpenzon rreth 4.800 denarë në muaj për cigare.
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vend, Akim Ali, paralajmëroi se duhanpirja shkakton sëmundje të rënda, si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe ato të frymëmarrjes. Ai theksoi se dëmet ekonomike nga duhanpirja janë shumë më të mëdha se të ardhurat që shteti siguron nga taksat për produktet e duhanit.
Sipas tij, shteti duhet të rrisë akcizat dhe çmimet e cigareve, të mbrojë qytetarët nga tymi dhe të sigurojë ndihmë profesionale për ata që duan ta lënë duhanin.
Ndërkohë, hulumtimi tregon se vetëm 10 për qind e duhanpirësve janë përpjekur ta ndërpresin këtë shprehi. Si arsyet kryesore për ta lënë duhanin, 47 për qind kanë përmendur çmimin e cigareve, ndërsa 36 për qind këshillën e mjekut.
Ekonomisti Borçe Trenovski theksoi se duhanpirja është edhe barrë e madhe për familjet. Sipas tij, kostot vjetore të drejtpërdrejta dhe indirekte nga duhanpirja arrijnë në rreth 600 milionë euro, ndërsa rritja e akcizave mund t’i sjellë buxhetit të shtetit edhe 100 deri në 110 milionë euro shtesë në vit.
Ai vlerësoi se rritja e çmimeve të cigareve mund të ulë numrin e duhanpirësve dhe të parandalojë që mijëra të rinj të fillojnë konsumimin e duhanit.



