Afrim Gashi takon homologun kroat, Gordan Jandrokoviç: Kroacia mbështet rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim me homologun e tij nga Kroacia, Gordan Jandrokoviç, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin parlamentar dhe procesin e integrimit evropian.
“ Në një atmosferë miqësore pata kënaqësinë të zhvilloj takim me homologun tim, Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kroacisë, z. Gordan Jandrokoviç, me të cilin riafirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona dhe vullnetin e përbashkët për ta thelluar më tej bashkëpunimin parlamentar e bilateral.
Diskutuam për sfidat, progresin në reforma dhe procesin tonë drejt integrimit në BE, ku vlerësova lart mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Kroacisë. Theksova se përvoja kroate mbetet një vlerë e rëndësishme për rrugëtimin tonë europian.
E falënderova z. Jandrokoviç për mikpritjen e ngrohtë, duke theksuar se miqësia, besimi dhe partneriteti ndërmjet dy vendeve tona janë një bazë e fortë për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi, në interes të qytetarëve tanë dhe të një rajoni të qëndrueshëm e plotësisht të integruar në familjen europiane”, ka shkruar Afrim Gashi.



