Izet Mexhiti: Festat e Nëntorit në Çair u shënuan me koncertin e Rona Nishliut dhe The New Orchestra

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka ndarë momente nga aktiviteti kulturor i organizuar në Shkup me rastin e Festave të Nëntorit. Mbrëmja u shënua me një koncert të këngëtares Rona Nishliu, e shoqëruar nga The New Orchestra, nën dirigjimin e Edon Ramadanit.
Mexhiti ka vlerësuar rolin e muzikës në ruajtjen e historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së artistëve nga Kosova dhe Shqipëria në aktivitetet kulturore në Çair.
“Sonte, Nëntorin e shqiptarëve e festuam përmes muzikës, asaj që ndër breza na ka shoqëruar në gëzime, në beteja dhe në përpjekjet tona për liri.
Përmes këngës kemi ruajtur historinë, kemi mbajtur gjallë emrat e heronjve dhe kemi komunikuar me njëri-tjetrin edhe në kohët kur kufijtë na e pamundësonin këtë.
Pikërisht këtë fuqi bashkuese të muzikës e përjetuam sonte në Shkup, me një prej zërave më të njohur të muzikës shqiptare, Rona Nishliun, e cila na nderoi me ardhjen e saj nga Kosova, së bashku me The New Orchestra, nën dirigjimin e Edon Ramadanit.
Prania e artistëve nga Kosova dhe Shqipëria në festat tona ka një domethënie të veçantë, sepse përtej kufijve, gjithmonë kemi ndarë me njëri-tjetrin gjuhën, kulturën dhe dashurinë për artin shqiptar.
Është pikërisht kjo frymë që duam ta kultivojmë në Çair, duke krijuar gjithnjë e më shumë hapësirë për takime të tilla artistike e kulturore.
Faleminderit artistëve dhe publikut për emocionet e kësaj mbrëmjeje!
Gëzuar Festat e Nëntorit!”, ka shkruar Izet Mexhiti.



