Shiroka Pula: BE-ja të mos jetë selektive në procesin e zgjerimit

Presidentja Justina Shiroka-Pula i ka kërkuar Bashkimit Evropian të premten që të mos jetë selektiv në procesin e zgjerimit.

Gjatë fjalës së saj në Samitin e radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, që është organizuar në Ohër, ajo ka theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përparojnë paralelisht drejt anëtarësimit, mbi bazën e meritave dhe kritereve, pa lënë askënd prapa.

“Kosova nuk kërkon privilegj, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë. Për të, integrimi evropian është zgjedhje strategjike dhe orientim i qartë shtetëror. Zvarritja e procesit dhe mungesa e përparimit drejt statusit të vendit kandidat dëmtojnë besimin e qytetarëve në Kosovë dhe në perspektivën evropiane të rajonit. Kosova i ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe pret integrim mbi bazën e meritave dhe kritereve të barabarta”, ka thënë presidentja Shiroka-Pula.

Ajo ka theksuar se bashkëpunimi rajonal kërkon respekt, barazi, përgjegjësi dhe, para së gjithash, besim të ndërsjellë.

“Të jemi të barabartë në mesin e të barabartëve është dëshmi e respektit ndërmjet shteteve dhe popujve”, ka thënë presidentja, e cila ka rikujtuar se në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, më 16 nëntor në Bruksel, u diskutua e ardhmja evropiane e rajonit, por Kosova nuk u ftua.

“Në të njëjtën ngjarje u interpretua një këngë nacionaliste që vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Është paradoksale që, në një aktivitet kushtuar zgjerimit dhe vlerave evropiane, Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional dhe të lejohen mesazhe që cenojnë realitetin e saj shtetëror”, ka thënë presidentja Shiroka-Pula. “BE-ja nuk mund të ndërtojë unitet duke toleruar simbole dhe praktika që nxisin ndarje, por as të mjaftohet me një distancim formal”.

Ajo ka thënë se një Ballkan Perëndimor më i integruar është një Evropë më e fortë dhe ka thënë se procesi duhet të ndihet edhe në jetën e përditshme.

“Heqja e tarifave të roamingut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të jetë hap konkret drejt komunikimit më të lehtë mes njerëzve dhe bizneseve”, ka thënë presidentja. “Duhet të përparojmë më shpejt edhe në integrimin ekonomik rajonal. Plani i Rritjes ofron mundësi për reforma, investime dhe vende të reja pune, me trajtim të barabartë për të gjitha vendet”.

Ajo ka folur edhe për ndryshimin e kontekstit global të sigurisë, duke vënë theksin tek agresioni rus në Ukrainë, për të cilin ka thënë se ka shtuar nevojën për gatishmëri parandaluese dhe vepruese.

“Kosova ka investuar në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse, në personel, pajisje dhe armatim, për të siguruar integritetin territorial dhe për t’i vënë kapacitetet e saj në dispozicion të vendeve aleate. Jemi të gatshëm që, së bashku me aleatët, të vazhdojmë të ndërtojmë një trajektore paqeje, në shërbim dhe interes të të gjithë qytetarëve të rajonit, pa dallim”, ka thënë presidentja.

Në margjina të Samitit të Ohrit, presidentja Shiroka-Pula ka zhvilluar edhe takime me homologë të vendeve të rajonit.

Presidenca ka njoftuar se në takim me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, është diskutuar për projektin e tunelit që lidh Prizrenin me Tetovën dhe për rivendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë-Shkup.

“Presidentja vlerësoi rritjen e shkëmbimeve tregtare, përmirësimin e bilancit tregtar dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim. “Presidentja Shiroka-Pula përshëndeti vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe fillimin e punimeve në autostradën Shkup-Bllacë. Ajo theksoi rëndësinë e përfundimit të procedurave për ndërtimin e tunelit që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, si dhe të përpjekjeve për rivendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë-Shkup”.

Gjatë takimit është vlerësuar edhe bashkëpunimi, që është cilësuar i mirë, ndërmjet dy vendeve dhe dinamika e marrëdhënieve politike, diplomatike dhe ekonomike.

Presidentja Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe përkrahjen reciproke në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.

Ajo ka takuar edhe presidentët e dy shteteve që kanë iniciuar procesin e Brdo-Brijunit, Natasha Pirc Musar të Sllovenisë dhe Zoran Milanoviq të Kroacisë. Të dyve ua ka përcjellë mesazhin se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur dhe ka theksuar se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik dhe synim kryesor në fushën e sigurisë.

Në samit, Shiroka-Pula ka shprehur gatishmërinë që Kosova të jetë nikoqire e takimit të ardhshëm të Procesit Brdo-Brijuni, duke theksuar se kjo do të forconte dialogun dhe bashkëpunimin tonë rajonal, si dhe përkushtimin e përbashkët ndaj integrimit evropian.

Në samitin e Ohrit, krahas morën pjesë udhëheqësit shtetërorë edhe të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës-Hercegovinës dhe Serbisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button