Holanda zotohet të vazhdojë mbështetjen për GJNP-në pas njoftimit të sanksioneve të SHBA-së

Holanda do të vazhdojë ta mbështesë Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) pavarësisht sanksioneve të reja të shpallura nga SHBA-ja, tha të premten ministri i Jashtëm holandez, Tom Berendsen, duke u zotuar të ndihmojë në garantimin e vazhdimësisë së funksionimit të gjykatës, transmeton Anadolu.

“Sanksionet e shpallura kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale përbëjnë përshkallëzim të ri të padëshiruar. Më vjen thellësisht keq për këtë hap të ri”, tha Berendsen në një deklaratë.

“Ne qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të gjykatës”, shtoi ai.

Berendsen tha se Holanda do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të siguruar funksionimin e duhur të gjykatës, si vendi pritës i saj, ashtu edhe si shtet palë në traktatin themelues të saj.

Ai tha se sanksionet nuk do të hyjnë menjëherë në fuqi, duke u mundësuar ofruesve të shërbimeve të vazhdojnë bashkëpunimin me gjykatën.

Ministri mirëpriti periudhën gjashtëmujore deri në hyrjen në fuqi të sanksioneve, duke thënë se ajo ofron mundësi për dialog.

Berendsen tha se synon ta shqyrtojë seriozisht këtë mundësi së bashku me vendet e tjera palë në gjykatë.

Deklaratat e tij erdhën pas një deklarate të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili kërcënoi se do t’i “jepë fund GJPN-së” nëse ajo nuk ndal ato që ai i cilësoi si “kërcënime”.

Rubio u bëri gjithashtu thirrje aleatëve të SHBA-së që “ta frenojnë gjykatën”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button