Gashi: Kuvendi mbetet partner i përkushtuar në reformat evropiane

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka deklaruar se integrimi evropian i vendit mbetet orientim strategjik i palëkundur dhe pa alternativë, gjatë pjesëmarrjes së tij në ngjarjen për shënimin e Ditës së Evropës.
Ngjarja u organizua nga Lëvizja Europiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Fondacioni Konrad Adenauer dhe Qendra Wilfried Martens për Studime Europiane.
“Në fjalën time theksova se integrimi europian i Maqedonisë së Veriut mbetet orientimi ynë strategjik, i palëkundur dhe pa alternativë”, ka deklaruar Gashi.
Ai vlerësoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian tashmë përfaqëson jo vetëm një proces politik, por edhe një nevojë të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.
“Sot, më shumë se kurrë, zgjerimi i Bashkimit Europian nuk është vetëm çështje politike, por domosdoshmëri gjeopolitike dhe investim në sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit europian”, u shpreh kryeparlamentari.
Gashi theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së besueshmërisë së procesit integrues, duke shtuar se Kuvendi do të mbetet partner aktiv në avancimin e reformave dhe forcimin e sundimit të ligjit.
“Nënvizova se mbetet thelbësore që procesi i integrimit të ruajë besueshmërinë e tij, ndërsa konfirmova se Kuvendi do të vazhdojë të jetë partner i përkushtuar në avancimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe realizimin e aspiratës sonë europiane”, ka theksuar Gashi.


