Dy vjet e gjysmë burg për punonjësen e MPB-së që falsifikoi patentë-shoferët

Tre të akuzuar në rastin e falsifikimit të patentë-shoferëve e kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burgim në procedurë të shkurtuar. Të akuzuarës së parë, punonjëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i është shqiptuar dënim me dy vjet e gjashtë muaj burg, ndërsa i akuzuari i dytë dhe i treti janë dënuar me nga një vit e tre muaj burg. Për të tre është vazhduar masa e paraburgimit, njoftuan nga Gjykata Themelore Penale në Shkup.

Rasti ka të bëjë me futjen e paligjshme të kategorive në patentë-shoferë, lëshimin dhe përdorimin e tyre. Nga gjykata sqarojnë se bëhet fjalë për propozim-akuzë dhe, meqë nuk ka fazë vlerësimi, menjëherë është caktuar seancë gjyqësore. Tre persona janë të paarritshëm për organet e drejtësisë, ndërsa për tre të tjerët që ndodheshin në paraburgim, dje është mbajtur seanca, ku e kanë pranuar fajësinë dhe u janë shqiptuar dënime me burg.

Prokuroria Themelore Publike në Shkup, më 19 shtator, ka ngritur propozim-akuzë ndaj gjashtë personave për veprën penale të vazhduar “falsifikim i dokumentit”, sipas nenit 378, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

E akuzuara e parë, e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme si këshilltare e re për dokumentet e udhëtimit në Departamentin për Punë Administrative në Shkup, gjatë periudhës nga shtatori 2020 deri në gusht 2026, në disa raste ka përdorur kodet e saj zyrtare për të ndryshuar patentë-shoferë, duke u shtuar kategori shtesë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pesë të akuzuarit e tjerë janë shoferë të cilët, megjithëse nuk kishin dhënë provimin e vozitjes për kategoritë C dhe D, në marrëveshje me punonjësen kanë paraqitur kërkesa për lëshimin e patentë-shoferëve, në të cilat janë futur kategori për të cilat nuk i plotësonin kushtet ligjore.

Për tre të akuzuarit që janë të paarritshëm për organet e ndjekjes penale, është propozuar caktimi i paraburgimit pas gjetjes së tyre, ndërsa procedura ndaj tyre të vazhdojë në mungesë.

Në kuadër të të njëjtit rast, Prokuroria po vazhdon mbledhjen e provave ndaj 21 personave të tjerë të dyshuar se kanë qenë ndërmjetës ose përdorues të patentë-shoferëve të falsifikuar. Hetimi përfshin edhe keqpërdorime të tjera të mundshme që lidhen me rastin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button