Diplomohen oficerët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Të premten në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ka diplomuar gjenerata e vitit 2026 e oficerëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Anadolu.
Në një ceremoni ku morën pjesë udhëheqës të institucioneve të larta, ushtarakë dhe familjarë, diplomuan zyrtarisht 12 kadetë të FSK-së të cilët përfunduan me sukses rrugëtimin 4-vjeçar të përgatitjes ushtarake dhe akademike të lidershipit.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se kjo gjeneratë po diplomon në një kohë të sfidave të sigurisë.
Haxhiu tha se gjeneratat e reja dhe edukimi i tyre janë nga investimet më të rëndësishme që mund të bëhen në Republikën e Kosovës.
“Për këtë arsye përgjegjësia juaj është shumë më e madhe, duke filluar nga mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë, Kushtetutës së Kosovës, të rendit demokratik, lirisë dhe sigurisë së çdo qytetari në Republikën e Kosovës. Shërbimi juaj nisë me vetëdijen se Republika nuk është dhuratë, ajo u ngrit mbi përpjekjen shekullore për liri, mbi sakrificën e popullit tonë dhe mbi luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi Haxhiu.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se sot është ditë krenarie për Republikën e Kosovës.
Ai bëri të ditur se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të investohet 1 miliardë euro në ushtri, fabrikë municionesh, 1 mijë vajza në ushtri apo rritje prej 2.5 herë më shumë të numrit aktual, por më e rëndësishmja do të ketë ushtarakë edhe më të përgatitur.
“Investimet në infrastrukturë, në sistemet e armatimit dhe edukimin e ushtarëve tonë paraqesin dëshmi që po punojmë fort dhe së bashku që të jemi ofrues të sigurisë duke plotësuar në vazhdimësi kriteret e nevojshme për t’u bërë anëtarë të NATO-s si një nga qëllimet kryesore të Qeverisë sonë”, theksoi Kurti.
Kurti shtoi se për më tepër, investimet dëshmojnë seriozitetin ndaj aleatëve strategjik të Kosovës në NATO.
Kosova synon anëtarësim në NATO si një nga objektivat e saj strategjike ndërsa vitet e fundit ka rritur ndjeshëm buxhetin e mbrojtjes duke investuar në pajisje ushtarake moderne dhe zgjerim të bashkëpunimit me ushtritë e vendeve aleate përmes trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.
Diplomimi i oficerëve të rinj konsiderohet pjesë e përpjekjeve për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e lidershipit brenda FSK-së.



