Nga e diela, pajisjet dimërore në automjete bëhen të detyrueshme, gjobë prej 45 eurosh për mosrespektimin e rregullave

Nga e diela, më 15 nëntor, hyn në fuqi detyrimi për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete, i cili do të jetë në fuqi deri më 15 mars 2027. Për shoferët që nuk i respektojnë rregullat e përcaktuara parashihet gjobë prej 45 eurosh, përkatësisht rreth 2.770 denarë.
Ky detyrim vlen për të gjitha automjetet motorike që marrin pjesë në komunikacionin publik, pavarësisht kushteve atmosferike dhe gjendjes së rrugëve.
Për automjetet e udhëtarëve me peshë deri në 3.500 kilogramë, pajisjet e detyrueshme dimërore nënkuptojnë goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej katër milimetrash. Lejohet edhe përdorimi i gomave verore me profil prej së paku katër milimetrash, por në këtë rast automjeti duhet të ketë zinxhirë bore të madhësisë përkatëse për rrotat aktive.
Te automjetet me tërheqje në të katër rrotat, gomat dimërore duhet të kenë thellësi të profilit prej së paku gjashtë milimetrash. Nëse përdoren goma verore, ato duhet të kenë profil prej së paku katër milimetrash dhe automjeti duhet të jetë i pajisur me zinxhirë bore përkatës.
Për automjetet transportuese me peshë mbi 3.500 kilogramë, të detyrueshme janë gomat dimërore në rrotat aktive, me profil prej së paku gjashtë milimetrash, ose gomat verore me profil prej së paku katër milimetrash, së bashku me zinxhirë bore apo pajisje të tjera të përcaktuara.
Autobusët dhe automjetet transportuese që, për arsye teknike, nuk mund të vendosin zinxhirë, duhet të kenë goma dimërore në rrotat aktive dhe pajisje ndihmëse, përkatësisht lopatë.
Gomat dimërore dallohen nga shenjat „MS“, „M+S“ ose „M&S“, si dhe nga simboli i flokut të borës brenda një mali me tri maja.
Pajisjet e detyrueshme dimërore janë përcaktuar me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion gjatë periudhës së dimrit.



