Demokrati Rahm Emanuel bën thirrje për t’i dhënë fund mbështetjes së pakushtëzuar të SHBA-së për Izraelin

Rahm Emanuel, i cili përmendet si një kandidat i mundshëm demokrat për zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2028, ka deklaruar se politika afatgjate e Washingtonit për ta mbështetur qeverinë izraelite pa kushte dhe pa kërkesa ka qenë një gabim, transmeton Anadolu.

Ish-ambasadori amerikan dhe ish-kryebashkiaku i Çikagos tha gjatë një fjalimi të mbajtur të mërkurën në Universitetin e Tel Avivit se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu e ka izoluar gjithnjë e më shumë Izraelin.

“Mbështetja për Izraelin po bie ndjeshëm në mbarë botën”, tha Emanuel.

“Nuk mund të luftoni pafundësisht kundër një bote që ka pushuar së besuari se ju keni të drejtë të luftoni. Duhet të gjendet një rrugë e re dhe e qëndrueshme drejt paqes, sigurisë dhe mirëqenies ekonomike. Amerika është e gatshme”, tha ai.

“Në vitin 2022, 55 për qind e amerikanëve kishin një opinion pozitiv për Izraelin. Sot kjo shifër është 37 për qind dhe po vazhdon të bjerë”, shtoi ai.

Emanuel kritikoi gjithashtu politikën e jashtme të Izraelit në periudhën e fundit, duke thënë se përfitimi i vetëm i ri diplomatik ishte njohja nga Somalilandi, i cili nuk gëzon njohje të gjerë ndërkombëtare.

“Siç thoshte gjyshja ime: ‘Humbët Evropën, humbët Amerikën dhe fituat Somalilandin; çfarë marrëveshjeje’”, tha ai.

Gjatë vizitës së tij, Emanuel u takua me presidentin Isaac Herzog, por jo me kryeministrin Netanyahu, i cili thuhet se në vitin 2009 e kishte quajtur atë “hebre që urren veten”, pasi Emanuel kishte kritikuar zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme izraelite.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button