Tensionet rriten në “Volkswagen”, punëtorët kërkojnë qartësi për mbylljet e fabrikave

Përfaqësuesja kryesore e punëtorëve në “Volkswagen” i ka dhënë një ultimatum menaxhmentit, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm për raportimet mediatike mbi mbylljet e planifikuara të fabrikave dhe pushimet masive nga puna, të cilat kanë lënë punonjësit në pasiguri, transmeton Anadolu.

Daniela Cavallo, kryetare e këshillit të fuqishëm të punëtorëve të kompanisë, kritikoi ashpër bordin ekzekutiv në një deklaratë me tone të forta, duke e quajtur mënyrën e trajtimit të fuqisë punëtore “jo-respektuese” dhe duke i kërkuar drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Oliver Blume, që personalisht t’i informojë punonjësit për çdo plan ristrukturimi.

“Trajtimi i fuqisë punëtore nga Bordi Ekzekutiv nuk mund të ishte më jo-respektues. Tani i takon Oliver Blume të paktën të kufizojë përmasat e këtij dëmi të madh. Është krejtësisht e papërgjegjshme t’i lësh punonjësit në errësirë dhe t’i dërgosh në pushime në këtë mënyrë”, tha Cavallo.

Mediat gjermane raportuan këtë javë se Blume ka propozuar ndërprerjen e prodhimit të automjeteve në disa fabrika gjermane, gjë që mund të vërë në rrezik rreth 40 mijë vende pune. Sipas “Der Spiegel”, plani parashikon mbylljen e prodhimit në fabrikat në Zwickau dhe në Emden brenda pesë vitesh, e më pas fabrikën e automjeteve komerciale në Hannover në vitin 2032 dhe fabrikën e “Audi”-së në Neckarsulm në vitin 2034.

Një takim kyç i Bordit Mbikëqyrës të “Volkswagen”-it në Wolfsburg përfundoi vonë dje, pa u bërë asnjë deklaratë lidhur me raportimet për mbylljen e fabrikave apo shkurtimet e vendeve të punës.

Sipas “Suddeutsche Zeitung”, bordi hodhi poshtë me një votim 12-7 propozimin e menaxhmentit për ristrukturim, i cili përfshinte mbyllje fabrikash dhe shkurtime vendesh pune. Përfaqësuesit e punëtorëve dhe shteti i Saksonisë së Ulët, i cili zotëron 20 për qind të aksioneve të kompanisë, udhëhoqën kundërshtimin.

Cavallo tha se javët e spekulimeve dhe pasigurisë duhet të marrin fund menjëherë. Ajo kërkoi që menaxhmenti të japë përgjigje të qarta gjatë ditës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button