Daut Beqiri reagon me foto me Izet Mexhitin pas raportimeve për mungesën në 2-vjetorin e qeverisjes së VLEN-it

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka publikuar një fotografi me bashkëkryetarin e VLEN-it, Izet Mexhiti, ku të dy shihen të buzëqeshur.
Ky reagim vjen pas raportimeve për mospraninë e Beqirit në shënimin e 2-vjetorit të qeverisjes së VLEN-it, ku u prezantuan rezultatet e dy viteve të qeverisjes.
Fotografia e publikuar shihet si një përgjigje indirekte ndaj interpretimeve që qarkulluan në disa media dhe rrjete sociale lidhur me raportet mes palëve, megjithëse nuk ka pasur ndonjë deklaratë zyrtare për përplasje apo përkeqësim të marrëdhënieve.
Ditë më parë, krerët e VLEN-it nuk kishin marrë pjesë në manifestimin qendror të organizuar në Komunën e Haraçinës me rastin e 30-vjetorit të themelimit të komunës dhe 25-vjetorit të Betejës së Lavdishme të Haraçinës, çka u përmend në disa raportime si arsye e mundshme për mungesën e kryetarit të komunës në aktivitetin e fundit.
Megjithatë, deri tani asnjëra palë nuk ka dhënë deklarata që flasin për prishje të raporteve, ndërsa publikimi i fotografisë së përbashkët shihet si sinjal i vijimit të komunikimit normal mes tyre.



