Belgjikë, ndërprerja e rrjetit në disa spitale shtyn ndërhyrjet kirurgjikale

Disa spitale në Belgjikë u përballën sot me ndërprerje të rrjetit, duke detyruar shtyrjen e ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara dhe duke penguar ofrimin e shërbimeve mjekësore, transmeton Anadolu.
Ende nuk është e qartë nëse ndërprerja u shkaktua nga një defekt teknik apo nga një sulm kibernetik. Sipas transmetuesit publik VRT, Spitali UZ Brussel ishte i pari që raportoi probleme në sistemet e tij të teknologjisë së informacionit dhe telefonisë.
Si pasojë, ndërhyrjet kirurgjikale dhe procedurat mjekësore të planifikuara u shtynë deri në një njoftim të mëtejshëm ndërsa të gjitha vizitat ambulatore dhe trajtimet u anuluan. Edhe autoambulancat u ridrejtuan drejt spitaleve të tjera.
Spitali bëri të ditur se ekipet e tij të teknologjisë së informacionit po hetonin shkakun e ndërprerjes, duke shtuar se siguria e pacientëve të shtruar në pavijone mbetej e garantuar. Edhe spitali “Sint-Andries” në qytetin Tielt, në provincën e Flandrës Perëndimore, raportoi probleme me rrjetin.
AZ Monica në Antverpë e nxori jashtë funksionit sistemin elektronik të të dhënave të pacientëve si masë paraprake, por vizitat dhe ndërhyrjet kirurgjikale vazhduan sipas planit. Ndërkaq, spitali “Heilig Hart” në Lier i ricaktoi vizitat, raportoi agjencia belge e lajmeve Belga.
Sipas raportimeve, ndërprerja lidhej me një sistem elektronik të të dhënave të pacientëve, të zhvilluar në UZ Brussel dhe të përdorur edhe nga disa spitale të tjera.



