Bekim Sali nga Samiti Ukrainë–Evropa Juglindore: Mbështetja për Ukrainën mbetet e palëkundur

Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, ka riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Maqedonisë së Veriut për Ukrainën gjatë pjesëmarrjes në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore, të organizuar me rastin e Ditës së Shtetësisë së Ukrainës.
Sali theksoi se vendi mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke nënvizuar se Shkupi do të vazhdojë të jetë përkrah popullit ukrainas.
“Në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore riafirmuam mbështetjen e palëkundur të Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Vendi ynë do të vazhdojë të qëndrojë përkrah popullit ukrainas dhe të kontribuojë në përpjekjet për paqe, siguri dhe rindërtim”, deklaroi Sali.
Ai shtoi se përvoja e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian do të vihet në dispozicion të Ukrainës.
“Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian me përvojë të gjatë në procesin e negociatave, jemi të gatshëm të ndajmë përvojën dhe ekspertizën tonë për të mbështetur Ukrainën në rrugën e saj drejt BE-së”, u shpreh zëvendëskryeministri i Parë.
Në fund, Sali theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe evropian mbetet kyç për të ardhmen e kontinentit.
“Së bashku ndërtojmë një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar”, përfundoi ai.



