Bekim Sali me Marta Kos: Investimet e BE-së po krijojnë kushte më të mira për studentët dhe po e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian

Zv.kryeministri i parë i qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane Bekim Sali, së bashku me Komisioneren për zgjerim Marta Kos, vizituan Konviktin Shtetëror Studentor “Stiv Naumov”, projekt i realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.



Sipas Salit, ky projekt është dëshmi se reformat dhe partneriteti me Bashkimin Evropian sjellin përfitime konkrete për qytetarët, duke përmirësuar kushtet e jetesës dhe studimit për studentët.
“Ky investim nënkupton më shumë se një ndërtesë të rinovuar, ai krijon kushte më të mira jetese dhe studimi për studentët, promovon efikasitetin energjetik dhe investon në të ardhmen e të rinjve tanë”, ka theksuar Sali.
Ai shtoi se përmes Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, vendi po vazhdon rrugën drejt modernizimit, rritjes së konkurrueshmërisë dhe afrimit me Bashkimin Evropian.
Në fund, Sali shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve që, sipas tij, përmirësojnë jetën e qytetarëve.



