Tymi nga zjarri në Kitkë ka zbritur në Shkup! Angelov: Dora keqbërëse rindezi zjarrin në male

Tym i dendur që është vërejtur këtë pasdite në Shkup vjen nga zjarri në malin Kitka, në territorin e komunave Studeniçan dhe Zelenikovë. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza bëjnë të ditur se tymi është bartur nga era drejt Shkupit, ndërsa gjatë ditës në terren ka vepruar edhe një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nga Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim thonë se deri tani nuk ka pasur raportime për zjarr në Vodno. Ndërkohë, janë regjistruar dy zjarre në bar të thatë dhe në pyll të ulët të degraduar në Komunën e Ilindenit, si dhe një zjarr në territorin e Komunës së Sarajit, pranë fshatit Bojanë.
Drejtori i DMSH-së tha se zjarri në malin Kitkë është ndezur sërish nga persona keqbërës.


